MPB e EULEX firmosen marrëveshje për shkëmbimin e informatave
Prishtinë, 16 korrik - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, e nënshkruan sot Marrëveshjen Teknike për Shkëmbimin e Informatave të Inteligjencës ndërmjet dy institucioneve.
Kjo marrëveshje synon të lehtësojë shkëmbimin e informatave ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë së EULEX-it, me qëllim të parandalimit, zbulimit dhe zvogëlimit të kriminalitetit në Kosovë.
Në veçanti, ka të bëjë me krimin e organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore, armëve dhe narkotikëve, krimet financiare, nivelin e lartë të korrupsionit dhe trazirat civile.
Ministri Bajram Rexhepi tha se kjo marrëveshje mundëson shkëmbimin e sigurt, të besueshëm dhe efikas të informatave strategjike dhe operative dhe të informatave të inteligjencës për veprimet kriminale që janë të nevojshme për parandalimin, zbulimin dhe hetimin e krimeve të rënda.
Bashkëpunimi i mirë me EULEX-in, me arritjen e kësaj marrëveshjeje teknike pritet që të forcohet edhe më shumë, tha ministri Rexhepi.
Ndërsa Bernd Borchardt, Shef i EULEX-it, e theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informatave të inteligjencës ndërmjet misionit dhe Policisë së Kosovës lidhur me luftimin e krimit në Kosovë.
Partneriteti ndërmjet institucioneve kosovare për sundimin e ligjit dhe EULEX-it vazhdon të jetë prioritet për misionin. Tani kur gjithnjë e më shumë raste po hetohen bashkë nga hetuesit e EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës, kjo marrëveshje do ta mundësojë shkëmbim të informatave të inteligjencës, e cila do ta rrisë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprave penale tjera në Kosovë, tha Borchardt.