MPB dhe MFSK nënshkruan Memorandum të Mirëkuptimi

Prishtinë, 23 dhjetor - Duke u mbështetur në nenet 126 dhe 128 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 10 të Ligjit nr. 03/L-046 për Forcën e Sigurisë së Kosovës, neni 8.1 të Ligjit nr. 03/L-035 për Policinë e Kosovës, nenit 80 të Ligjit nr. 04/L-027 për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësive tjera, si dhe bazuar në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës dhe Planit Kombëtar të Reagimit Emergjent, sot, me datë 23 dhjetor 2011 është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është të definojë një kornizë për bashkëveprim dhe partneritet në mes të Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ky Memorandum është përgatitur pas një procesi konsultativ mes Ministrive përkatëse me mbështetje të Këshillit për Siguri të Kosovës dhe mbulon fushat e mbështetjes së autoriteteve civile dhe po ashtu fushat e partneritetit, në mënyrë që të rrisë koordinimin dhe forcojë reagimin qeveritar ndaj fatkeqësive natyrore dhe teknologjike, apo tjera, duke ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.