MPB dënon incidentin në fshatin Dresnik të Klinës

Prishtinë, 23 maj - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dënon ashpër incidentin e ndodhur në fshatin Dresnik të Komunës së Klinës, me çrast janë djegur dy shtëpi, pronë e dy familjeve të komunitetit serb.
Rasti është kualifikuar si: Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm- Zjarrvënie dhe është duke u hetuar nga Hetimet Rajonale të Pejës, Njësitet e Forenzikës dhe Njësiti K9.
Ministria e Punëve të Brendshme fton qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës në ndriçimin e këtij rasti dhe vënien para organeve të drejtësisë, personat e përfshirë në këtë akt kriminal.
Ministria e Punëve të Brendshme siguron të gjithë qytetarët e vendit se, sot jemi më të vendosur se kurrë për të mbrojtur jetën dhe pronën e të gjithë qytetareve pa dallim dhe nuk do të lejojmë që akte të tilla kriminale të dëmtojnë përpjekjet e Institucioneve të Republikës së Kosovës, për të ndërtuar një shoqëri tolerante bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut pa dallim etnie, besimi apo bindje politike.
Liria e lëvizjes dhe e drejta e shfrytëzimit të pronës për të gjithë qytetarët e vendit është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe si e tillë mbetet e pacenueshme, prandaj çdo veprim kriminal që është në kundërshtim me këtë frymë do të ballafaqohet me forcën e ligjit.