MPB debatoi kundër krimit, korrupsionit dhe terrorizmit
Prishtinë, 29 tetor Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës në Prishtinë, Sekretariati i Ministrisë së Punëve të Brendshme në kuadër të fushatës një muajshe kundër krimit të organizuar, organizoi një debat me temën: Të arriturat e institucioneve të shtetit tonë në zhvillimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit, drogave dhe terrorizmit.
Në këtë debat morën pjesë z. Fatmir Xhelili, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe Koordinator Nacional kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, z. Kadri Arifi, shef i Shtyllës së Hetimeve të Krimit në Policinë e Kosovës, z. Driton Azemi, shef i Inteligjencës në Doganën e Kosovës, përfaqësuesi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Massimo Ramanzin, këshilltar i EULEX-it, si dhe përfaqësues të tjerë institucional.
Fatmir Xhelili, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe Koordinator Nacional kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore theksoi në fillim të debatit se vendimi për ta mbyllur sot fushatën, nuk nënkupton mbylljen dhe ndërprerjen e luftës kundër krimeve të organizuara, por në vazhdimësi dhe me këmbëngultësi instrumentet e shtetit tonë do ta vazhdojnë luftën kundër të gjitha llojeve të krimeve, me theks të veçantë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Vendimi për ta mbyllur sot fushatën bazohet në atë se fushata kundër trafikimit me qenie njerëzore është planifikuar që herët në qershor, kurse fushatën kundër krimit të organizuar e kemi planifikuar nga gjysma e tetorit deri në gjysmën e parë të nëntorit. Mirëpo, zhvillimet e fundit politike faktikisht po e zbehin këtë fushatë dhe nuk duam që kjo të jetë si fushatë politike, pasi të gjitha aktivitetet që i kemi zhvilluar në drejtim të krijimit të mekanizmave në luftë kundër llojeve të organizuara të krimit, i kemi realizuar me shumë përkushtim dhe jemi në fazën e dinamikës së përshpejtuar të implementimit të atyre aktiviteteve, për ti realizuar objektivat për të cilat i kemi ngritur këto mekanizma, siç janë mekanizmi në luftë kundër terrorizmit, kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit ekonomiko-finaciar, mekanizmit në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe mekanizmit në luftë kundër trafikimit me droga dhe narkotik.
Duke folur për objektivat dhe synimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në luftë kundër krimit të organizuar, zëvendësministri Xhelili tha se synimet tona kanë shkuar në dy drejtime; në drejtim të ngritjes së këtyre kapaciteteve dhe mekanizmave, bazuar në dokumentet strategjike që i kemi hartuar në strategjinë e planit të veprimit dhe synimi tjetër ka qenë luftimi i këtyre dukurive negative që janë paraqitur në shtetin tonë, si dhe zvogëlimi i tyre.
Para çdo hartimi të këtyre dokumenteve strategjike, ne kemi bërë vlerësime të rëndësishme të ekipeve tona për ti analizuar këto dukuri dhe për të analizuar metodologji të aktiviteteve kriminale që janë zhvilluar në grupe kriminale, në drejtim të identifikimit të rrjeteve të grupeve të individëve dhe mënyrave të veprimit të tyre, por dhe të përfitimeve që ata realizojnë në aktivitete joligjore dhe kriminale. Përkundër faktit që kjo fushatë është ndërprerë, ai tha se do të vazhdojmë me këmbëngultësi luftimin e këtyre dukurive negative dhe besoj se çdo qytetar i Kosovës është i vetëdijshëm për pasojat dhe rreziqet nga krimi i organizuar.
Çdo qytetar i Kosovës e ka për temë diskutimi korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërsa zyrtarët e segmenteve të shtetit tonë që janë të ndërtuar për ti luftuar llojet e krimit të organizuar, tashmë janë të përgatitur dhe kanë kapacitet për ti luftuar këto krime. Mënyrat janë të ndryshme dhe metodat janë të ndryshme. Ato janë metoda komplekse që ndërlidhen me metodologjinë profesionale, shkencore dhe metodologji që janë bazuar në rezultatet e metodologjive të policive dhe segmenteve të shteteve, që i kanë luftuar dhe i luftojnë çdo ditë këto dukuri negative. Shtetit tonë, tashmë nuk i mungojnë këto kapacitete për luftimin e këtyre dukurive dhe kemi punuar me shumë përkushtim dhe mund, derisa i kemi ndërtuar këto kapacitete dhe derisa i kemi hartuar planet e veprimit, pastaj derisa e kemi bërë rekrutimin, edukimin, trajnimin, specializimin dhe profilizimin e kuadrove për luftimin e këtyre dukurive. Struktura e Policisë së Krimit e Policisë sonë, e policisë kufitare, struktuara e Doganës, Prokurorisë dhe gjyqësisë së bashku me mekanizmat tjerë që investojmë dhe janë duke investuar në drejtim të parandalimit dhe preventivës, kanë kapacitete për tu përballur më këto dukuri, theksoi ndër të tjera zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Fatmir Xhelili.
Ndërkaq, Besim Kelmendi, prokuror special në Prokurorinë Speciale të Kosovës tha se viti 2010 për Prokurorinë ka qenë vit i sfidave dhe i shpresës, për shkak se kemi hyrë në proces të emërimit dhe riemërimit të prokurorëve dhe ky proces këtë muaj ka përfunduar. Deri tash janë emëruar 88 prokurorë, nga të cilët 15 janë në nivelin shtetëror, pastaj 29 prokurorë janë emëruar në prokuroritë e regjioneve të Kosovës dhe 44 prokurorë janë emëruar në nivelin e prokurorive komunale.
Ky numër nuk është i mjaftueshëm, por është shpresë e të gjithë neve se do të ndryshojë rrënjësisht puna në Prokurorinë e Kosovës, duke marrë parasysh se numri më i madh i prokurorëve, sidomos në Prokurorinë e Qarkut dhe në atë Komunale janë njerëz të rinj dhe të përgatitur, të cilët kanë kaluar një kontroll shumë të rreptë hetimor, përfshirë edhe të kaluarën e tyre. Me ardhjen e Kryeprokurorit të ri është emëruar një koordinator për ti përcjellë të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me korrupsionin në Kosovë dhe ky koordinator vazhdimisht raporton për punën e secilit prokuror në nivel të Kosovës për çdo ditë në Zyrën e Kryeprokurorit të shtetit. Gjithashtu Kryeprokurori i shtetit ka caktuar tre njerëz që janë prokurorë dhe ata do të jenë anëtarë në Agjencionin Kosovar Kundër Korrupsionit dhe do ti koordinojmë punët në vazhdimësi lidhur me punën e prokurorëve dhe të Agjencionit, për vepra të cilat përfshijnë vepra penale korruptive, theksoi ndër të tjera Besim Kelmendi, prokuror special në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Në debatin e sotëm me diskutimet e tyre kontribuan edhe z. Kadri Arifi, shef i Shtyllës së Hetimeve të Krimit në Policinë e Kosovës, z. Driton Azemi, shef i Inteligjencës në Doganën e Kosovës, përfaqësuesi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Massimo Ramanzin, këshilltar i EULEX-it, si dhe përfaqësues të tjerë institucional vendor e ndërkombëtar.