MPB bënë vlerësimin e zbatimit të strategjive
Prishtinë, 12 dhjetor - Nën udhëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, z. Valdet Hoxha, i cili njëkohësisht është edhe Koordinator Nacional Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar, u bë vlerësimi i implementimit të Strategjive Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar, si dhe realizimi i objektivave dhe aktiviteteve të parapara në planet e veprimit të dyja strategjive respektive.
Zëvendësministri Hoxha duke i falënderuar të gjithë zyrtarët e mekanizmave të përfshirë në implementimin e këtyre strategjive, vlerësoi në nivel shumë të mirë angazhimin ndërinstitucional duke potencuar sidomos rezultatet konkrete në fushën e parandalimit dhe luftimit të terrorizmit dhe po ashtu kërkoi që ky angazhim të vazhdojë, duke u fokusuar më shumë edhe në aktivitetet e përbashkëta proaktive.
Angazhimi profesional, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i aktiviteteve, si dhe një qasje serioze dhe sistematike e të gjitha mekanizmave e në veçanti e mekanizmave të sigurisë në Republikën e Kosovës, kanë dhënë rezultat në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit e po ashtu e kanë renditur vendin tonë në grupin e vendeve shume aktive, madje duke e konsideruar edhe si lider rajonal, sidomos në luftën kundër terrorizmit, theksoi zëvendësministri Hoxha.
Të gjithë përfaqësuesit e mekanizmave të përfshirë në punën për realizimin e objektivave dhe aktiviteteve të parapara në të dyja strategjitë, u pajtuan që gjatë këtij viti ka pasur progres domethënës në fushat respektive, duke ofruar gatishmërinë e tyre në kuptim të vazhdimit dhe të konsolidimit edhe më tej të hapave të përbashkët ndërinstitucional, në luftë kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.