Morina zëvendëskryeprokurore e Shtetit
Prishtinë, 2 shtator - Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, mori sot vendim për caktimin e prokurores në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Sevdije Morina, në pozitën e zëvendëskryeprokurores së Shtetit.
Kryeprokurori Lumezi e caktoi në këtë pozitë prokuroren Sevdije Morina, duke vlerësuar lartë përvojën, angazhimin, përkushtimin e treguar për punë dhe rezultatet e mira të prokurores Morina, duke përfshirë edhe përvojën udhëheqëse që ka pasur si zëvendëskryeprokurore dhe më pas edhe u.d. kryeprokurore e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Zëvendëskryeprokurorja e Shtetit ka autoritet të plotë për të vepruar në emër të kryeprokurorit të Shtetit në rast të mungesës apo pengesës së tij që të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësit e tij, si dhe do të kryej punë në bazë të fushëveprimit dhe autorizimeve të kryeprokurorit të Shtetit.
Pozita e zëvendëskryeprokurorit të Shtetit, për të parën herë në vendin tonë është paraparë me Ligjit nr. 05/L-035 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Prokurorinë e Shtetit, i cili ka hyrë në fuqi në qershor të këtij viti.