15 Janar 2025

Morina: Hoxha, nuk ka të drejtë të pezullojë e punën e KPK- së

Prishtinë, 18 mars - U.d. kryeprokurore në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sevdije Morina, nëpër mjet një deklarate për media, ka thënë se u.d. kryeprokurori i Shtetit, Sylë Hoxha, nuk e ka asnjë të drejtë ligjore, as me ligj e as me rregullore që të vendos për pezullimin e punës së KPK-së. Andaj me këtë veprim Sylë Hoxha ka bërë shkelje ligjore, duke i tejkaluar autorizimet e tij. 


Deklarata e plotë:

Të nderuar përfaqësues të mjeteve të informimit publik,

Pas akuzave të shumta që më janë bërë nga u.d. kryeprokurori i Shtetit, lëshoj këtë deklaratë, për hir të informimit të drejtë të opinionit publik.

Më lejoni që në fillim të Ju njoftoj se u.d. kryeprokurori i Shtetit, Sylë Hoxha, nuk e ka asnjë të drejtë ligjore, as me ligj e as me rregullore që të vendos për pezullimin e punës së KPK-së. Andaj me këtë veprim Sylë Hoxha ka bërë shkelje ligjore, duke i tejkaluar autorizimet e tij.

Unë në mjetet e informimit publik, dëgjova deklaratën për media të SylëHoxhës, e cila deklaratë kishte vetëm shpifje dhe tregon mosgatishmërinë e këtij personi për tu ballafaquar me anëtarët e KPK-së, në Këshillin Prokurorial. I frikësuar nga ky ballafaqim, Hoxha ka zgjedhur ta lexoj deklaratën para mediave, duke mos lejuar as të pranoj pyetje nga gazetarët. 


Më lejoni ta them se deklarata që dëgjova me shumë vëmendje më bëri të ndihem shumë keq, pasiqë u dëshmua se në çfarë niveli të ulët ka rënë u.d. kryeprokurori i Shtetit. Nuk dua të bie, aq poshtë që të përgjigjem në të gjitha akuzat e tij, sepse dinjiteti im është shumë herë më i madh sesa urrejtja e tij ndaj meje.

Për të mos u lëshuar në të gjitha ato akuza, për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, shkurtimisht dua që ta sqaroj se sulmet e tij,jo vetëm ndaj meje, por edhe anëtarëve të tjerë të KPK-së, natyrisht të cilët nuk iu kanë shkuar për shtati Hoxhës, kanë për qëllim diskreditimin e tyre dhe mbulimin e dështimeve të tij për gjendjen e krijuar në KPK dhe më kryesorja për t’i shpëtuar shkarkimit, të cilin me arsye e kemi kërkuar qe sa kohë.

Do të ishte për tu vlerësuar sikur ai t’i thotë akuzat direkt në takim të KPK-së, mirëpo ai në kundërshtim me çdo logjikë organizon konferenca ku personat që i akuzon pa bazë nuk i ka të pranishëm. Shtrohet pyetja: pse ai nuk i tha këto shqetësimet të tij asnjëherë aty ku ka qenë vendi, pra në takimet e KPK-së.

Me keqardhje më duhet të them seSylë Hoxha nuk ka as kredibilitet as të drejtë morale t’i drejtohet qytetarëve sepse ai është shkaktari më i madh i dëmtimit të sistemit prokurorial.

Ai më së paku ka dhënë kontribut në ndërtimin e këtij sistemi, në çka ai thirret. Ai në të vërtetë është shkatërruesi i tij në këta muaj, gjatë së cilës kohë e ushtron detyrën e kryeprokurorit të Shtetit.

Nuk dua t’i përsëris ato që i kam thënë më herët, ku para syve të tij ia kam numëruar një varg skandalesh që ka bërë. Më duhet ta them se në të gjitha format dhe me të gjitha mjetet e ka bllokuar procesin e dytë të përzgjedhjes së kryeprokurorit të Shtetit.

Paramendoni çfarë u.d. kryeprokurori të Shtetit kemi, me çka po merret dhe në çfarë niveli të ulët ka rënë, duke iu kujtuar që përveç tjerash ta zbuloj edhe votën se kujt ia ka dhënë, votë e cila ka qenë e fshehtë dhe nuk ka guxuar të bëhet publike. Unë asnjëherë nuk e kam bërë publike as votën time e as poenët qëua kam dhënë kandidatëve dhe as që do t’i bëjë ndonjëherë.

Sa i përket konkursit për pozitën e prokurorit në Zyrën e kryeprokurorit të Shtetit, ku unë kam konkurruar, Ju njoftoj se përkundër asaj që thotë Sylë Hoxha, komisioni për rikonsiderim, i përbërë nga 3 prokurorë i ka aprovuar ankesat e dy prokurorëve, ankesën time dhe të prokurorit Agim Kurmehaj. Ky komision e ka prishur vendimin e komisionit vlerësues, kryetar i të cilit ka qenë Sylë Hoxha dhe e ka urdhëruar përsëritjen e tërë procesit.

Sylë Hoxha deklaroi se PSRK-ja udhëhiqet nga një u.d. kryeprokuror. Ju gazetarë që i keni përcjellur takimet e KPK-së, sigurisht e keni dëgjuar disa herë kërkesën time që e kam bërë në KPK, që të përshpejtohet procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të Shtetit dhe vendi ynë ta ketë kryeprokurorine Shtetit dhe jo një u.d. kryeprokuror.

Po ashtu kam kërkuar që sa më parë edhe PSRK-ja të ketë kryeprokurorin e zgjedhur dhe jo u.d. kryeprokurorin.

NdërsaSylë Hoxha në vend se ta përshpejtoj procesin, e bllokon atë,sigurisht për interesa personale. E para për shkak se po i pëlqen pozita, ndërsa e dyta duke shpresuar se do t’i fitoj privilegjet që i parasheh ligji mbi përfitimet e zyrtarëve të lartë.

Meqenëse PSRK u kritikua për mos punë, Ju njoftoj se kjo prokurori është duke e kryer punën e vet në mënyrën më të mirë të mundshme. Rastet në PSRK as nuk mund të maten e as të krahasohen me rastet e prokurorive tjera. Sa për ilustrim disa raste që aktualisht po hetohen në PSRK, vetëm numri i dëshmitarëve që duhet dëgjuar në hetime ka arritur në 200.

Sa i përket akuzave që i ka bërë për rastet e krimeve të luftës, Ju informoj se këto raste kanë qenë në kompetencë të UNMIK-ut e më pas të EULEX-it, deri më 30 maj të vitit të kaluar, kur janë bartur kompetencat tek vendorët. 

Pra pas, 30 majit 2014, kur janë pranuar kompetencat nga EULEX-i dhe pas pranimit të disa kërkesave të autoriteteve të Serbisë për ndihmë juridike ndërkombëtare, unë iu kam drejtuar me shkrim Ministrisë së Drejtësisë, respektivisht Departamentit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, duke i njoftuar ata që në rastet kur të dyshuarit janë qytetarë të Kosovës dhe vepra ka ndodhur në Kosovë nuk do tu përgjigjemi kërkesave të Serbisë për ndihmë juridike ndërkombëtare, për arsye se kjo është e kundërligjshme dhe do t’i sjell qytetarët e RKS-së në situata të pavolitshme, të cilët pas hetimeve që Serbia do t’i zhvilloj do të mund të arrestohen kudo që kapen.(Të bashkangjitur gjeni shkresën drejtuar MD-së).

Në periudhën kohore 2010-2013 kam marrë pjesë në rekrutimin, emërimin, riemërimin dhe intervistimin e mbi 300 gjyqtarëve dhe prokurorëve për çka jam shumë krenare sepse këtë punë e kam bërë me shumë ndershmëri dhe nuk ka pasur asnjë ankesë nga askush lidhur me këto procese.

Sa i përket mandatit tim në KPK, konsideroj se është e tepër të diskutohet kjo çështje, pasiqëka bazë të qartë ligjore që një anëtarit të transferuar nga Këshilli Gjyqësor e Prokurorialtë Kosovës, i vazhdohet mandati edhe për një vit, ashtu siç e thotë Kushtetuta, për ta ruajtur vazhdimësinë e Këshillit. Kjo ka mbështetje në nenin 151 par. 2 të Kushtetutës dhe në vendimin e KGJPK të datës 18 prill 2011, me të cilin 3 anëtarëve u vazhdohet mandati për një vit shtesë.

Me tërheqjen e prokurorit Jetish Maloku automatikisht tjetri anëtar e fiton këtë të drejtë. Këshilli këtu as nuk ka të drejtë të votoj as të shkarkoj, kjo është ex lege, në fakt sipas fuqisë së Kushtetutës. Edhe pse neni 151 është fshirë nga Kushtetuta në vitin 2012 vendimi është marrë kur ishte në fuqi kjo dispozitë, ndërsa ndryshimi i mëvonshëm nuk mund t’i mohoj të drejtat e fituara një herë. Ky është parim i njohur përgjithësisht.

Hoxha deklaroi se, prap personalisht, pa vendim të KPK-së, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, përmes Presidentes, kërkesën për të pranuar opinionin ligjor të kësaj gjykate, lidhur me mandatet e anëtarëve të KPK-së.

Edhe me këtë veprim Hoxha ka bërë shkelje, pasiqë në radhë të parë nuk ka qenë i autorizuar nga anëtarët e KPK-së të t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe e dyta, nuk ka pasur të drejtë ligjore që të kërkoj shpjegime nga kjo Gjykatë, pasi Kushtetuta qartë e thotë se cilat janë palët e autorizuara për ta referuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Për informatën tuaj, KPK, i është drejtuar Presidentes lidhur me madatet, por e njëjta i ka kthyer përgjigje KPK-së se Presidenca nuk mund të bëjë interpretime të mandateve të institucioneve të pavarura.(Bashkëngjitur gjeni edhe përgjigjen e Presidentes drejtuar KPK-së).

Në mbyllje më duhet ta përmend se Sylë Hoxha ju kthye viteve të 90-ta dhe sërish më akuzon dukepërmendur njerëz të familjes, me të njëjtin fjalor sikurse që u përdor në skandalin me SMS nga anëtari i KPK-së FlorentMuqaj, i përzgjedhuri i Sylë Hoxhës, i cili gjatë mbledhjes të KPK-së, pranoi SMS nga dikush nga jashtë dhe i transmetoi ato porosi gjatë fjalimeve të tij.

Shtrohet pyetja a mos po del se prapa atyre SMS-ve është vet Sylë Hoxha apo dikush që mund ta ketë shkruar deklaratën e lexuar nga ai. Në këtë drejtim flet edhe fakti se Hoxha, edhe pse kaloj një muaj, asnjëherë nuk u distancua nga ato SMS, nuk i dënoj dhe nuk e tha as më të voglën fjalë. Kjo nuk do shumë mend, tregon se ai është përkrahës i atyre fjalëve që u thanë.

Për informatën Tuaj, kunata e Rrahman Morinës, për të cilën Sylë Hoxha shpif, në shtator të vitit 1990 është shkarkuar nga Kuvendi i Serbisë, së bashku edhe me prokurorët tjerë shqiptar: Osman Kryeziu, Nexhat Ajro, Reshat Millaku dhe Bademe Sllamniku, për shkak të kundërshtimeve të fuqishme për gjendjen e krijuar me përndjekjet dhe arrestimet e delegatëve të Kuvendit të Kosovës, pas deklaratës së pavarësisë së 2 korrikut, ndërsa në të njëjtën kohë, rrahagjokësi Sylë Hoxha vazhdonte të punonte si gjyqtar në Prizren. (Bashkëngjitur gjeni protestën e zëvendësprokurorëve të Qarkut të Prishtinës, kundër arrestimit të delegatëve të Kuvendit për shkak të deklaratës së Pavaërisë së 2 korrikut 1990 e datës 17.09.1990, e botuar në mes tjerash në “Zërin e Rinisë”.

Nga ajo kohë, e deri në përfundim të luftës, unë nuk kam punuar asgjë e as avokate, vetëm për të mos punuar me legjislacionin e atëhershëm në fuqi,por jam marrë me edukimin dhe rritjen e fëmijëve të mi, derisa pas luftës, kur janë krijuar kushtet për kthim në punë.

Sërish po e them se ndjehem krenare për punën time të pastër gjatë gjithë karrierës sime dhe tani kur Sylë Hoxha me bashkëpunëtorë edhe përkundër përpjekjeve për të gjetuar ndonjë gabim timin, nuk kanë se për çfarë t’më akuzojnë, por po iu kujtohet koha para 25 vitesh.

Ndoshta do të ishte më mirë që Sylë Hoxhës, në vend se t’i kujtohet koha e para 25 vitesh ta kujtoj vëllain e tij, ish gjyqtar, cili aktualisht po vuan dënimin me burg, për korrupsion të kryer gjatë kohës sa ishte gjyqtarë.

Për hir të informimit të drejtë u mundova shkurtimisht, pa përmendur skandalet e shumta të Hoxhës, si falsifikimi i CD, shtyrjet dhe bojkotimi i takimeve të KPK-së, ftesa për pjesëmarrje në konferencën e organizuar nga vet ai, të kryetarit të një komune, i dënuar për korrupsion, skandali ende i pasqaruar rreth kërkesës së zëvendëses së Sylë Hoxhës, për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit për vëllain e Hoxhës, e shumë të tjera.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)