Mobilizimi i shoqërisë e bënë të mundshëm luftën kundër korrupsionit
Prishtinë, 9 dhjetor - Luftimi i korrupsionit është mision i mundshëm por për këtë nevojitet një mobilizim i përgjithshëm i shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës.
Kjo u tha gjatë një konference të organizuar sot nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me rastin e 9 dhjetorit, Ditës Botërore Kundër Korrupsionit.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, i cili iu adresua të pranishmëve në këtë konferencë tha se korrupsioni është problem i vazhdueshëm për ata që dëshirojnë të bëjnë biznes dhe është për lëvdatë për organizatat e biznesit si Oda Amerikane që bëjnë përpjekje për eliminimin e kësaj dukurie.
Ai shprehu kënaqësinë e tij për adresimin e tij në Ditën Botërore kundër Korrupsionit, duke shtuar se luftimi i korrupsionit nuk është vetëm prioritet i tij personal, por gjithashtu njëri ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Amerikane.
Ambasadori Delawie tha se ekonomia e Kosovës dhe krijimi i vendeve të punës në këtë vend nuk do të ndodhin pa përmirësimin dhe fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit.
\"Lufta kundër korrupsionit, siç ka thënë Presidenti Obama, është një ndër përpjekjet më të mëdha të kohës sonë. Korrupsioni kufizon prosperitetin ekonomik. Ai dobëson cilësinë e demokracisë dhe zvogëlon besimin publik, si dhe legjitimitetin e qeverisjes. Korrupsioni shter burimet publike, kufizon ndërmarrësinë dhe largon investitorët e huaj dhe ata vendor, \" tha Ambasadori.
Më tej, Ambasadori iu referua Raportit të Odës Amerikane mbi Gjendjen e Biznesit, sipas të cilit korrupsioni perceptohet të jetë i pranishëm në masë të madhe në sektorin gjyqësor me 48% të të anketuarve që thonë se nuk besojnë në sistemin gjyqësor.
Duke folur për vizitën e fundit të Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry në Kosovë, Ambasadori Delawie tha se udhëheqësit e Kosovës kanë siguruar Sekretarin Kerry se ata do të punojnë në çrrënjosjen e korrupsionit.
\"Kryeministri ka premtuar të ndërmarrë hapa konkret, siç është ndryshimi Ligjit mbi Prokurimin dhe prezantimi i sistemit të prokurimit elektronik dhe ne duhet të kërkojmë përmbushjen e këtyre zotimeve nga ana e Qeverisë dhe të masim atë me nivelin e suksesit\" tha ai gjatë adresimit të tij.
Ai gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij me faktin se Kosova është ngritur pak në indikatorët mbarëbotëror të qeverisjes të Bankës Botërore për kontrollimin e korrupsionit, si dhe faktin që Kosova ka shënuar përmirësim në kontrollimin e korrupsionit sipas vlerësimit të Korporatës së Sfidave të Mileniumit.
Ai ka vlerësuar këto si lajme të mira, duke shtuar se në anën tjetër lajm i keq mbetet fakti që vlerësimi i korrupsionit në Kosovë sipas Bankës Botërore është shumë më i keq se ai i shumë shteteve të tjera në rajon.
Ai tha se Ambasada dhe Qeveria Amerikane mbeten të përkushtuara për të ndihmuar në tejkalimin e sfidave të tjera signifikante, duke pohuar se Qeveria e SHBA-ve planifikon që vitin e ardhshëm të shpenzojë 12 milionë dollarë amerikanë për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë, duke shtuar se sapo kanë paralajmëruar Programin e ri të USAID-it për Fuqizimin e Sektorit të Drejtësisë.
Përveç kësaj, Ambasadori Amerikan Delawie theksoi punën e vazhdueshme me policinë, prokurorët dhe gjykatësit në përmirësimin e kapaciteteve për identifikimin dhe ndëshkimin e korrupsionit.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, tha se korrupsioni pengon prospektet për rritje të bizneseve të vogla si dhe dëmton ato biznese të cilat promovojnë vlera të larta të etikës së biznesit, duke shtuar se është e dhimbshme që dinamika e autoriteteve përgjegjëse nuk jep rezultate konkrete në luftimin e tij, me gjithë dëmet e mëdha që i shkaktohen reputacionit të vendit dhe arkës së shtetit.
Ai tha se Oda Amerikane beson që luftimi i korrupsionit është një mision i mundshëm, por për këtë nevojiten veprime konkrete dhe përcaktim i luftës kundër korrupsionit si njëra ndër prioritetet më të larta të institucioneve të shtetit dhe të shoqërisë.
Ndërsa, që zinxhiri i luftimit të korrupsionit të funksionojë në të gjitha hallkat e tij, Zeka tha se nevojitet një përmirësim i rendit e ligjit në Kosovë, por poashtu është e nevojshme që edhe vetë zyrtarët e institucioneve përkatëse të tregojnë shkallë të lartë të integritetit dhe fuqizim i mekanizmave të raportimit të korrupsionit.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion Hasan Preteni, tha se Kosova aktualisht ka momentalisht mekanizma për luftimin e korrupsionit dhe legjislacion adekuat e gjithashtu edhe planin e veprimit për luftimin e korrupsionit, por është fatkeqësi që ka mungesë të rezultateve duke shprehur shqetësimin e tij për numrin e vogël të rasteve të cilat marrin ndëshkimin ligjor.
Përfaqësuesi i Zyrës së Prokurorit të Shtetit Besim Kelmendi tha se në zyrën pjesë e të cilit është ai, ekziston një qasje e re për luftimin e korrupsionit dhe një bashkëpunim në rritje me institucionet e tjera relevante, organizatat e shoqërisë civile dhe me bizneset.
Ndërsa gazetari i të përditshmes Koha Ditore Visar Prebreza u shpreh i kënaqur me punën që bëjnë gazetarët në raportimin e rasteve të korrupsionit dhe me faktin që një pjesë e madhe e këtyre raportimeve kanë përfunduar me aktakuza.
Ai shprehu shqetësimin e tij me funksionimin në përbërje jo të plotë të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit si një mekanizëm i rëndësishëm për mbikëqyrjen e aktiviteteve të prokurimit publik.
Ai poashtu shprehu besimin e tij se lufta kundër korrupsionit është e mundshme me një angazhim gjithëpërfshirës dhe me largimin e zyrtarëve të korruptuar nga pozitat drejtuese.