Mjekësia ligjore në shërbim të drejtësisë dhe popullit
Prishtinë, 16 tetor - Zyra e BE-së në Kosovë, së bashku me Departamentin për Mjekësi Ligjore, ka organizuar një konferencë me temën \"Mjekësia ligjore në shërbim të drejtësisë dhe popullit\".
Konferenca u organizua si pjesë e projektit IPA 2012 \"Përforcimi dhe modernizimi i shërbimeve të mjekësisë ligjore në Kosovë\".
Konferenca mblodhi aktorët dhe ekspertët e ndryshëm në fushën e mjekësisë ligjore, siç janë stafi i mjekësisë ligjore, gjyqtarët, prokurorët, policia dhe shoqëria civile, nga Kosova dhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Prezantuesit kryesor të konferencës, si Profesori Djordje Alempijevic, Profesori A. Sajantila dhe Profesori H. Ranta , theksuan një numër të instrumenteve ndërkombëtare dhe konventave të cilat i bëjnë thirrje ekspertëve të mjekësisë ligjore që të bëhen avokatë për të drejtat e njeriut dhe të vihen në shërbim të atyre në nevojë, pavarësisht se a janë të zhdukur apo të vdekur.
Mjekësia ligjore dhe stafi i saj janë në shërbim direkt të sistemit të drejtësisë.Raportet e mjekëve ligjor dhe toksikologëve përbëjnë elementet kryesore para gjykatës, si dhe shfrytëzohen nga prokurorët dhe gjyqtarët.
Por roli i mjekësisë ligjore nuk ndalon këtu. Znj. Yvonne Gogoll, udhëheqëse e ekipit, Sundimi i Ligjit, Zyra e BE-së, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë të të gjitha palëve të përfshira në fushën e mjekësisë ligjore dhe personave të zhdukur me një synim të përbashkët - t\'i shërbehet drejtësisë dhe popullit.
Gjatë dekadës së kaluar, Kosova ka ndërmarrë hapa serioz drejt ndërtimit të shoqërisë së fuqishme demokratike me sistem dhe institucione funksionale në fushën e sundimit të ligjit.Kosova ka përqafuar parimet e konventave kryesore ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat janë bërë apo do të bëhen pjesë e kornizës kryesore legjislative.Mbrojtja e të drejtave të njeriut është faktori kryesor që duhet të merret parasysh në mjekësinë ligjore.
Kjo është edhe më relevante për Departamentin për Mjekësi Ligjore në Kosovë e cila është vendosur pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe trajton edhe çështjen e personave të zhdukur.