Mjekë te Forcave te Armatosura gjermane në vizitë në MFSK
Prishtinë, 23 nëntor -Në M inistrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, koloneli Xhevdet Tahiraj, shefi i Departamentit të Mjekësisë dhe majori Genc Shala, zëvendëskomandant i Kompanisë së Mjekësisë, pritën një delegacion të lartë të oficerëve për çështje mjekësore, në përbërje major Rene Schliebener dhe kapiten Mario Kampers nga Forcat e Armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë, të cilët po qëndrojnë për vizitë në MFSK dhe FSK.
Delegacionin e oficerëve gjerman e pritën në takime të ndara edhe ministri Demolli, sekretari i përgjithshëm Shkëlzen Sylaj, gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione dhe gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, zëvendëskomandant i KFT-së, Gjatë takimit ata biseduan rreth shkëmbimit të eksperiencave mjekësore në mes të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Gjermanisë të parapara në marrëveshjen dypalëshe të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me theks të veçantë biseduan për ngritjen e nivelit të arsimimit, avancimin e trajnimeve dhe nevojën e mbështetjes me pajisje mjekësore të shërbimit shëndetësor të FSK-së në të ardhmen.
Oficerët e lartë nga Forcat e Armatosura të Gjermanisë, të shoqëruar nga kolonel Tahiraj dhe major Shala, vizituan edhe kazermën e Kompanisë Mjekësore të FSK-së ku u njohën nga afër me pajisjet dhe me ambientet e punës, si dhe biseduan me personelin mjekësor të FSK-së për aktivitetet dhe sfidat e tyre në përmbushjen e misionit, siç janë përkujdesja mjekësore për pjesëtarët e FSK-së dhe shërbyesit civil, mbështetja mjekësore e pjesëtarëve gjatë stërvitjeve dhe operacioneve të FSK-së, si dhe mbështetja gjatë aktiviteteve të tjera sipas detyrës.
Sot, gjatë ditës, delegacioni për çështje mjekësore i Forcave të Armatosura të Gjermanisë vizitoi edhe Regjimentin e Mbrojtjes Civile në Pomozotin, Brigadën për Reagim të Shpejtë në Istog dhe shërbimin mjekësor në Batalionin e Dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë, ku u pritën nga kolonel Xhevahir Geci, komandant i BRSH-së, komandanti i Batalionit të Dytë të Reagimit të Shpejtë, major Enver Beqiri, mjek në Batalionin e Dytë të BRSH.
Në takimin në BRSH, kolonel Geci i njoftoj mysafirët me kapacitetet mjekësore që aktualisht posedon BRSH-ja në përgjithësi si dhe për nevojat që kanë Batalionet e Reagimit të Shpejtë në këtë lëmi.
Nga ana e tyre delegacini nga ushtria gjermane e ka falenderuar, kolonel Gecin per pasqyrimin e ketyre kapaciteve egzistuese, dhe kane shprehur gatishmerine e bashkepunimit në fushën e mjekesise dhe se konkluduan se planifikohet që të behet një studim i mirfilltë se ku do të ketë nevojë FSK-ja për mbështetje nga Ushtria gjermane. Sidomos fokusi ishte tek standardizimi i trajnimeve dhe pajisjeve mjekesore në baze te standardeve te NATO-s.
Vizita e oficerëve gjerman në Ministri dhe Forcë po zhvillohet në kuadër të marrëveshjes dypalëshe ndërmjet dy institucioneve, përkatësisht në kuadër të planit të aktiviteteve vjetore sipas kësaj marrëveshje.