Mitrovicë, rënie e madhe e të gjitha incidenteve ndëretnike
Prishtinë, 1 shtator - Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari, Faruk Mujka, kanë pritur në takim ndihmës sekretarin gjeneral të OKB-së për Evropë, Azinë Qendrore dhe Amerikë, Miroslav Jenca, me të cilin kanë diskutuar për situatën politike e të sigurisë në Mitrovicë, arritjet e qytetit të Mitrovicës në shumë fusha dhe planet për të ardhmen.
Kryetari Bahtiri fillimisht falënderoi ndihmës sekretarin gjeneral të OKB-së, Miroslav Jenca, për vizitën dhe interesimin e tij për Mitrovicën duke e vlerësua si të suksesshëm bashkëpunimin e deritanishëm në mes të komunës dhe UNMIK-ut.
Ndër të tjera, kryetari Bahtiri e ka informuar ndihmës sekretarin gjeneral të OKB-së se që nga ardhja e tij në krye të komunës së Mitrovicës, ka punuar me përkushtim të madh dhe angazhim të pandërprerë për të stabilizuar gjendjen e përgjithshme në Mitrovicë, në rregullimin e infrastrukturës dhe krijimin e mundësive për hapjen e bizneseve sepse është i vetëdijshëm se pa stabilitet dhe siguri nuk ka progres e as zhvillim ekonomik.
“Falë mbështetjes së të gjithë përfaqësuesve të cilët janë me misione të ndryshme në Kosovë dhe falë përpjekjeve dhe vetëdijesimit të qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike, ne kemi arritur që Mitrovicën ta bëjmë një qytet stabil dhe një qytet i cili është ndër më të sigurtit në vend."
"Kjo shihet edhe nga rënia e madhe e të gjitha incidenteve e posaçërisht të atyre ndëretnike, ku gjatë këtyre viteve të qeverisjes sime janë shënuar një numër jashtëzakonisht i vogël i incidenteve ndëretnike ”, tha kryetari Bahtiri.
Ndërsa, ndihmës sekretarin gjeneral i OKB-së për Evropë, Azinë Qendrore dhe Amerikë, Miroslav Jenca, pasi e falënderoj kryetarin Bahtiri për mikpritjen e tij, ka theksuar se në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dhe pas takimit me disa liderë shtetëror, e ka vlerësuar si të rëndësishme vizitën në qytetin e Mitrovicës, ku falë punës së mirë po vërehem ndryshime pozitive dhe një progres në shumë fusha.
Sekretari gjeneral i OKB-së dhe kryetari Bahtiri po ashtu diskutuan për disa tema tjera të cilat lidhën me përmirësimin e kushteve të jetës për të gjithë qytetarët pa dalim etnie.