Mitrovicë, kërkohet të parandalohet përshkallëzimi i situatës
Mitrovicë, 11 prill - Qytetarët shqiptarë dhe ata të komuniteteve joserbe të veriut të Mitrovicës, kërkojnë veprime urgjente të strukturave të sigurisë në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i situatës.
Ata kërkojnë veprime konkrete dhe të shpejta, meqë situata është në pikën kritike pas vrasjes së Selver Haradinajt në banesën e tij.
Këto kërkesa përfaqësuesit e banorëve shqiptarë dhe ata të boshnjakëve që jetojnë në veri, i kanë shtruar të mërkurën në takimin e Komitetit të sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Janë shprehur mjaft kritik ndaj autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë, sidomos ndaj EULEX-it dhe KFOR-it për mosveprim në veri.
Florent Azemi, përfaqësues i banorëve shqiptarë të Lagjes së Boshnjakëve, kërkoi nga strukturat e sigurisë që të veprojnë shpejt, meqë gjendja është shpërthyese. Na mbroni ose ne do të vetëmbrohemi, tha ai.
Ndërsa, Musa Myftari, përfaqësues i organizatës Bregu i veriut, përveç kërkesës për rritjen e pranisë së strukturave të sigurisë, kërkoi që në lagjet me popullatë të përzier të vendosen kamera për të vëzhguar situatën.
Nuk është ndonjë investim i madh, por vendosja e kamerave është shumë efikase, meqë ndikon në parandalimin dhe në identifikimin e personave që bëjnë krime.
Nexhat Uglanin, përfaqësues i komunitetit boshnjak, kërkoi nga strukturat e sigurisë që të heqin alarmin që po përdoret nga strukturat kriminale serbe për të ftuar qytetarët serbë në aktivitetet e tyre kriminale.
Ka shumë vite që përdoret ai alarm për qëllime kriminale, ndërsa autoritetet e sigurisë nuk kanë ndërmarrë asgjë.
Në anën tjetër, zyrtarët e komunës së Mitrovicës, i kanë mbështetur kërkesat e banorëve të veriut. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se duhet vendosmëri e strukturave të sigurisë që të izolojnë grupet kriminale në veri. Duhet të veprohet, meqë në të kundërtën situata do të del jashtë kontrolli.
Sa i përket gjendjes aktuale të sigurisë, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, theksoi se nata ka kaluar e qetë, por tensionet janë shumë të mëdha.