Mitrovicë, Fushatë vetëdijesimi për mbrojtje nga zjarri
Prishtinë, 20 prill - Me qëllim të parandalimit të zjarreve pas ngrohjes së motit, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Mitrovicës ka organizuar një fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se fushata ka nisur në Lagjen e Romëve, ndërsa prej 3 deri kah fundi i muajit maj, do të vazhdoj nëpër shkollat fillore të fshatrave të ndryshme të komunës.
Ai theksoj se me planin e punës për këtë vit është paraparë që të organizohen forma të ndryshme vetëdijesimi për qytetarët për mbrojtje nga zjarri. Janë paraparë ligjërata nga ekspertë të kësaj lëmie, mandej shpërndarje të fletëpalosjeve etj.
Ai ju ka drejtuar edhe me një apel qytetarëve, për të qenë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit.
Zjarri mund të shkaktohet me një fije shkrepëse, por nuk mund të shuhet me ekipe të tëra të zjarrfikësve, përderisa pasojat mund të jenë të paparashikueshme.
Ai përkujton se vëzhgimi, lajmërimi dhe alarmimi me kohë i shfaqjes së zjarrit do të mundësojë intervenimin e shpejtë dhe efikas të Shërbimeve Zjarrfikëse dhe ekipeve të shpëtimit në lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.