Mitrovica tronditet sërish nga shpërthimi
Mitrovicë, 20 shkurt - Në pjesën veriore të Mitrovicës ka ndodhur një tjetër shpërthim, i cili këtë herë ka pasur për cak shtëpinë e një banoreje shqiptare.
Shpërthimi ka ndodhur mbrëmë pas orës 20, në Lagjen e Rrokaqiejve.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.
Fatmirësisht nuk është raportuar për të lënduar në njerëz, me gjithë faktin se në kohën e shpërthimit, ankuesja ka qenë së bashku me familjarët e saj brenda shtëpisë, ka thënë Hoti.
Sipas tij, autoritetet policore janë duke hetuar rastin.
Ky është shpërthimi i tretë që ka ndodhur në më pak se 48 orë në veri të Mitrovicës.
Kjo zonë është shndërruar në skenë të sulmeve të shpeshta.
Ekspertët e sigurisë thonë se sulmet i bëjnë grupet kriminale të serbëve në veri, të cilat i frikësohen epilogut të pafavorshëm për ta, të dialogut Prishtinë-Beograd.