14 Maj 2024

Mitrovica me plan për parandalimin e rrezikut nga mjetet piroteknike

Mitrovicë, 20 dhjetor - Me qëllim të parandalimit të problemeve dhe lëndimeve nga përdorimi i mjeteve piroteknike, që është bërë dukuri gjatë festave të fundvitit, zyrtarët e Komunës së Mitrovicës kanë bërë një plan aksional.

Për realizimin e këtij plani do të bashkëpunojnë Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtoria e Inspekcionit dhe Policia e Kosovës.

Behxhet Bala, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, tha se problemet si rezultat i përdorimit të pakontrolluar të mjeteve piroteknike janë të mëdha dhe sjellin rrezik. “Kemi pasur raste viteve të kaluara që fëmijë apo edhe të rinj të kenë pësuar lëndime të ndryshme gjatë përdorimit të këtyre mjeteve plasëse”.   

Ai theksoi se me rastin e festave të fundvitit është bërë dukuri e shitjes dhe përdorimit të mjeteve piroteknike në mënyrë të paligjshme, ku si pasojë shumë qytetarë e posaçërisht fëmijë  kanë pësuar lëndime trupore, frikë, shqetësime dhe pasiguri.

“Drejtoria për Mbrojtje dhe  Shpëtim pranë Komunës së Mitrovicës në bashkëpunim me Drejtorinë e Inspekcionit dhe Policinë në Komunitet pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë , me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për rrezikun dhe pasojat e përdorimit te këtyre mjeteve piroteknike do të filloj me realizimin  një fushate për vetëdijesimit të qytetarëve”.
 
Drejtori Bala, tha se parashihen dy faza të realizimit të këtij plani parandalues. “Në fazën e parë do të organizohen ligjërata nëpër shkolla lidhur me vetëdijesimin e nxënësve, mandej do të  shpërndahen afishe për rrezikun e përdorimit të mjeteve piroteknike, në rrugë, sheshe, lokale biznesi , tregje dhe në vende tjera publike”.

Ndërsa për fazën e dytë, ku parashihen masat vepruese në terren, jep sqarime drejtori për Inspekcion, Lulzim Zeqiri.

Ai tha se inspektorët e tregut në bashkëpunim me inspektorët  e preventives nga zjarri si dhe në mbështetjen e policisë  do t’i marrin masa adekuate ligjore  ndaj shitësve dhe  përdorueseve të mjeteve piroteknike.

“Do të merren masa ndaj të gjithë atyre, të cilët nuk i përmbahen Udhëzimit Administrativë të Ministrisë së Punëve të Brendshme nr. 26/2008 për Prodhimin, Tregtimin, Transportin dhe Përdorimin e Mjeteve Piroteknike, sipas të cilit është rreptësishtë e ndaluar shitja e mjeteve piroteknike  në tregje, trotuare dhe sheshe”.

Të gatshëm për të asistuar në këtë drejtim u shprehën edhe zyrtarët e policisë. Komandanti i stacionit jugor, Avni Zabeli, tha se për të qenë efikas kërkohet një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve.

“Përdorimi i pakontrolluar i mjeteve piroteknike është i rrezikshëm ndaj të gjithë duhet të kontribuojnë që të parandalohet kjo dukuri”.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)