Mitrovica kërkon koordinimin e veprimeve për sigurinë e qytetarëve
Mitrovicë, 31 dhjetor - Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës shprehin gatishmërinë e plotë për bashkëpunim me strukturat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë në të mirë të sigurisë së qytetarëve.
Ky zotim u dha të martën në takimin e Komitetit lokal për siguri publike, që u kryesua nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet komunës dhe strukturave të sigurisë është kyç sa i përket menaxhimit të situatës së sigurisë.
Ne ofrojmë, por edhe kërkojmë bashkëpunim të plotë nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i në mënyrë që të parandalojmë çfarëdo problemi në fushën e sigurisë, tha Bahtiri.
Kryetari Bahitiri theksoi se Mitrovica ende ka një situatë të ndjeshme në aspektin e sigurisë, andaj duhet përkushtim i shtuar në këtë drejtim. Ai gjithashtu kërkoi nga policia që të marrin masa që festa e ndërrimit të moteve të kaloj mirë dhe pa probleme.
Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, tha se në fushën e sigurisë është shumë me rëndësi bashkëpunimi me komunat fqinje.
Në këtë kontekst, ai e përmendi në radhë të parë Komunën e Mitrovicës Veriore, ku ende mungon rendi dhe ligji.
Komandanti Ahmet Xhosha, tha se Policia e Kosovës ka planin operacional sa i përket mbarëvajtjes së situatës në prag të ndërrimit të motive.