Miratohet themelimi i tri departamenteve të reja në Prokurorinë Speciale
Gjithashtu, Këshilli miratoi themelimin e tri departamenteve të reja në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës: Departamentin për Luftimin e Korrupsionit, Departamentin për Krim të Organizuar dhe Krim Financiar dhe Departamentin Kundër Terrorizmit, të cilat i ka prezantuar Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Nga ana tjetër, KPK-ja ka miratuar dy raporte periodike për periudhën korrik – shtator dhe tetor - dhjetor të vitit 2019, që hartohen në kuadër të raportimeve të rregullta për luftimin e krimeve ekonomike, të cilat i prezantoi Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu.
Po ashtu, Këshilli Prokurorial ka miratuar edhe Kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit për transferimin e tre prokurorëve - dy në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe një në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, si dhe ka marrë vendim për transferimin e një prokurori nga Prokuroria Themelore e Prishtinës në atë të Mitrovicës për një periudhë të caktuar.