Miratohet projektligji për ndalimin e shkuarjes në luftëra jashtë
Prishtinë, 19 dhjetor - E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka marrë vendimin për procedimin e projektligjeve për aprovim në Kuvendin e Kosovës dhe vendime tjera të fushës së përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.
Shqyrtimi i projektligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, mori aprovimin e kabinetit qeveritar.
Ky ligj përcakton veprën penale të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht, në çfarëdo forma kolektive të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Edhe Projektligji për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të panelit për lirim me kusht, ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar për ri procedim. Qëllimi i këtij ligji është të rregulloj përdorimin e mbikëqyrjes elektronike në procesin e drejtësisë penale për të ngritur sigurinë publike dhe për të garantuar ekzekutim efektiv të vendimeve të gjykatës dhe të Panelit për lirim me kusht, duke i respektuar plotësisht të drejtat e personave të përfshirë.
Duke vazhduar vendimet për ri-procedim të projektligjeve, është miratuar edhe vendimi për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimit të funksionit publik.