Ministrja Hoxha vizitoi të trajtuarit në Qendrën Korrektuese në Lipjan
Prishtinë, 7 shtator - Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha vizitoi të trajtuarit në Qendrën Korrektuese në Lipjan.
Gjatë vizitës, Ministrja Hoxha u informua nga afër rreth kushteve, trajtimit, dhe problemeve, që të trajtuarit në këtë qendër mund ti kenë.
Njëherit, Ministrja Hoxha u zotua se Ministria e Drejtësisë dhe dikasteret përgjegjëse, do të marrin masat e duhura dhe të nevojshme për përmirësimin e kushteve të përgjithshme, trajtimin e drejtë dhe të barabartë, si dhe ofrimin e mundësive më të mira, me theks të veçantë në jetën post penale.
Në bashkëbisedim, Ministrja Hoxha dëgjoi ankesat, kërkesat dhe rrëfimin e të trajtuarve në këtë qendër, për jetesën dhe aktivitetet që ata i zhvillojnë brenda qendrës. Me këtë rast, u diskutuan edhe shumë çështje tjera me interes për stafin udhëheqës të qendrës dhe të trajtuarit, si dhe u diskutua për gjetjen e mundësive më të mira për të ndikuar në përmirësimin e kushteve të përgjithshme.
Të gjitha palët u dakorduan që përkrahë trajnimeve ekzistuese, të punohet edhe më shumë në ngritjen dhe përforcimin e trajnimeve tjera profesionale, aktiviteteve sportive dhe rekreacioni.
Po ashtu, u diskutua edhe për fuqizimin dhe angazhimin e rolit të psikologut i cili do të merret me trajtimin specifik të kërkesave dhe nevojave të të trajtuarve në këtë qendër.