Ministria e Drejtësisë jashtëligjshëm shkurton afatin për konsultim me publikun
Prishtinë, 21 dhjetor - Ministria e Drejtësisë ka vendosur në platformën e konsultimeve publike “Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, dhe për pranimin e konsultimeve me shkrim ka përcaktuar afatin prej vetëm njëmbëdhjetë (11) ditë kalendarike ndërsa llogaritur si ditë punë janë vetëm shtatë (7) ditë, nga data 10 dhjetor deri më 20 dhjetor 2021.
Democraci Plus vlerëson se vendosja e një afati kaq të shkurtër për pranimin e komenteve me shkrim nga publiku për një projektligj kaq të rëndësishëm, është në kundërshtim me Rregulloren e Qeverisë nr. 05/2016 për standardet minimale për procesin e konsultimit publik (Neni 9, pika 1.1), ku përcaktohet se organi propozues i projektligjit (në këtë rast Ministria e Drejtësisë), duhet t’i mundësojë publikut kohë të mjaftueshme për komente, jo më pak se pesëmbëdhjetë (15) ditë pune që nga data e njoftimit për hapjen e konsultimit me shkrim.
Gjithashtu sipas pikës 1.2 të të njëjtit nen, për akte veçanërisht komplekse ose të rëndësishme, afati për dërgimin e komenteve mund të zgjatet deri në 60 ditë kalendarike.
"Shkurtimi i afatit për konsultim me publikun për këtë projektligj në shtatë (7) ditë pune nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, përveçse është në kundërshtim me Rregulloren e Qeverisë, minon besimin e publikut në gjithë procesin e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme."
"Për më shumë, duke pasur parasysh se projektligji në fjalë mbulon një çështje komplekse dhe të rëndësishme e cila po ashtu nuk është rregulluar më herët në Kosovë, projektligji është dashur të lihet për konsultime publike të paktën për pesëmbëdhjetë (15) ditë pune", thekson Democraci Plus.
Democraci Plus i bën thirrje Qeverisë që të zgjasë afatin për të dhënë kohë të mjaftueshme për konsultime dhe kontribut me shkrim nga publiku.