Ministri Sveça po merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë
Prishtinë, 14 qershor - Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samendin Mehmeti, kanë marr pjesë në inaugurimin e Panairit Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë, i cili po mbahet nga datat 13-17 qershor 2022, në Paris, Francë.
Panairi u hap nga Presidenti i Francës, z. Emmanuel Macron, i cili përveç se falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, vuri në pah rëndësinë e investimeve në fushën e industrisë, mbrojtës dhe të sigurisë.
Gjithashtu, ai vuri theksin tek mbështetja e tij për një bazë më të fortë industriale dhe teknologjike për mbrojtjen, si dhe mbështetjen e tij për inxhinierët e rinj, hulumtuesit dhe industrinë e së ardhmes.
Meqenëse Eurosatory është panairi më i madh botëror i forcave tokësore dhe ajrore, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, kjo është një mundësi shumë e mirë për udhëheqësit e institucioneve të sigurisë në Kosovë, për t'u njohur më mirë me zhvillimet e fundit në fushën e industrisë, mbrojtjes dhe të sigurisë.
Në këtë panair ministri Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, do të kenë mundësinë të njoftohen me zgjidhjet më të reja dhe të avancuara të teknologjisë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, të arriturat e fundit në industrinë e armëve dhe pajisjeve të tjera, si dhe vendosjen e bashkëpunimit me shumë shtete që e kanë të zhvilluar dhe të avancuar këtë industri.
Kjo vizitë vjen edhe në kuadër të përpjekjeve të ministrit Sveçla për të avancuar me politikat e sigurisë, duke vënë në pah rëndësinë që është e domosdoshme investimi dhe mobilizimi drejt rritjes së sigurisë dhe kapaciteteve mbrojtëse për institucionet e sigurisë, për të siguruar jo vetëm siguri dhe mbrojtje në vendin tonë, por për të siguruar paqe në rajon dhe më gjerë.