Ministri Rexhepi, vizitoi pikëkalimin kufitar në Merdare
Prishtinë, 5 mars - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, së bashku me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, kanë vizituar pikëkalimin kufitar në Merdare.
Gjatë vizitës në këtë pikëkalim kufitar ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi ka parë për së afërmi punën e zyrtarëve të të gjitha agjensioneve kufitare në këtë pikëkalim kufitar, si: Policisë së Kosovës, Doganës së Kosovës dhe Agjensionit të Veterinës dhe Ushqimit.
Ministri Rexhepi gjatë takimit me zyrtarët kufitarë ka vlerësuar angazhimin e tri agjencioneve kufitare, Policisë së Kosovës, Doganës së Kosovës dhe Agjensionit të Veterinës dhe Ushqimit, në zbatimin e konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit edhe në këtë PKK, në përputhje me standardet evropiane.
Lidhur me punën dhe angazhimet në këtë pikëkalim kufitar ata janë njoftuar nga komandanti i stacionit policor kufitar Merdare, toger Fehat Gashi, ndërsa ekspertët e identifikimit të dokumenteve të falsifikuara kanë demonstruar disa raste të zbulimit të dokumenteve të falsifikuara, duke prezantuar edhe pajisjet e punës të standardeve evropiane.
Kjo vizitë realizohet në prag të vizitës së misionit vlerësues për liberalizimin e vizave, i cili do të vizitojë këtë PKK për të parë nga afër progresin e arritur në zbatimin e kritereve të procesit të liberalizimit të vizave.