Ministri Rexhepi priti Ambasadoren e SHBA në Kosovë
Prishtinë, 30 maj Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka pritur në takim pune Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.
Në këtë takim, ministri Rexhepi informoi Ambasadoren Jacobson rreth përgatitjeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, respektivisht Policisë së Kosovës, për garantimin e rendit publik, lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët gjatë procesit zgjedhor si dhe ofrimin e kushteve të nevojshme të sigurisë gjatë të gjitha fazave para, gjatë dhe pas votimeve të 8 qershorit 2014.
Në këtë drejtim, Policia e Kosovës ka hartuar një udhërrëfyes për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës ku precizohen përgjegjësitë e Policisë së Kosovës në kryerjen e detyrave të saj gjatë procesit zgjedhor në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, Ambasadorja Jacobson ka vlerësuar punën e mekanizmave për zbatim të ligjit në ofrimin e mbështetjes gjatë tërë procesit zgjedhor si dhe ka nënvizuar rëndësinë që këto zgjedhje të jenë të qeta, transparente dhe të kalojnë në frymën demokratike.