Ministri Rexhepi kërkon ngritjen e nivelit të sigurisë në ANP
Prishtinë, 3 shtator - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, bëri një vizitë zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari.
Me këtë rast, ministri Rexhepi u prit nga drejtori i përgjithshëm i ANP-së, Mertol Genc, ku u diskutua për nivelin e sigurimit në aeroport, për terminalin e ri doganor, si për dhomën VIP.
Ministri Bajram Rexhepi, njëherësh Koordinator Nacional për Sigurinë në Aeroport, theksoi se është shumë e rëndësishme ngritja e nivelit të sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës.
Pas një analize të gjendjes së sigurisë në aeroport kemi ardhur në përfundim që ta rrisim prezencën e zyrtarëve policor dhe doganor nëpër pika të caktuara në aeroport. Kjo prezencë pa dyshim do të kontribuojë në rritjen e nivelit të sigurisë në aeroport, tha Rexhepi.
Ministri Rexhepi vuri në dukje se MPB-ja është e angazhuar në certifikimin e pajisjeve të reja që do të instalohen në terminalin e ri të aeroportit, të cilat janë të teknologjisë më të re dhe sipas standardeve të Bashkimi Evropian.
Ndërsa drejtori përgjithshëm i Aeroportit, Mertol Genc, pasi falënderoi ministrin Rexhepi për vizitën, vlerësoi bashkëpunimin e mirë që ka me Policinë e Kosovës dhe me institucionet e Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij takimi Genc bëri një prezantim të përgjithshëm dhe të hollësishëm të terminalit të ri, i cili është duke u ndërtuar, duke vlerësuar se ky do të jetë aeroporti më bashkëkohor në Ballkan.