Ministri Rexhepi ftohet për vizitë zyrtare në Berlin
Prishtinë, 6 prill - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi priti sot në një takim pune ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Hans Dieter Steinbach.
Në këtë takim, ministri Rexhepi e njoftoi ambasadorin Steinbach me prioritetet dhe planet e tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke siguruar njëkohësisht vazhdimësi të angazhimeve dhe reformave të ndërmarra.
Ambasadori Steinbach e uroi Ministrin Rexhepi për emërimin e tij Ministër i Punëve të Brendshme, duke shprehur besimin se do të vazhdojë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe agjencionet vartëse të saj.
Po ashtu, ambasadori Steinbach ia përcolli ministrit Rexhepi ftesën e ministrit të Brendshëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Thomas de Maizière për të realizuar një vizitë zyrtare në Berlin, që pritet të realizohet më 14 prill të këtij viti dhe ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi midis të dyja vendeve në fushën e sigurisë dhe migracionit.
Në fund të takimit, dy bashkëbiseduesit u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim të adresimit të sfidave në sektorin e sundimit të ligjit dhe vazhdimit të reformave në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit europian.