Ministri Hyseni vizitoi komunën e Vitisë dhe Gjilanit
Prishtinë, 29 korrik - Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka vizituar komunën e Vitisë, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti.
Në këtë takim u diskutua lidhur me çështjet kryesore me interes për banorët e Vitisë, me theks të veçantë lidhur me sigurinë. Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti bëri të ditur se siguria në këtë komunë është në nivel të kënaqshëm.
Ndërsa, ministri, z. Skender Hyseni, tha se duhet të jepet një mesazh i drejtpërdrejtë kundër fenomeneve që mund të godasin shoqërinë kosovare, siç është migrimi ilegal, tregtia me njerëz dhe pjesëmarrja në luftërat e huaja.
Me të gjitha këto fenomene Policia e Kosovës merret efektivisht. Kemi polici shumë profesionale dhe them me krenari se është policia më e mirë në Ballkan, kjo edhe në bazë të vlerësimeve që vijnë nga raportet ndërkombëtare, tha ministri Hyseni.
Gjatë vizitës në Viti, ministri Hyseni u takua me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, ku nga përfaqësuesit e këtij këshilli kërkoi që ato të funksionalizohen edhe më shumë dhe të kenë shtrirje në nivele më sociale, siç është familja.
Këtë mesazh mos e merrni se Kosova është në panik. Nuk ka asnjë rast të kërcënimit nga ndonjë sulm i mundshëm terrorist, tha ministri Hyseni.
Pas Vitisë, ministri Skender Hyseni, vazhdoi vizitën e tij në komunën e Gjilanit, me çrast u takua me kryetarin e kësaj komune, z. Lutfi Haziri dhe me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi.
Me këtë rast kryetari i komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, tha se e njoftoi ministrin Hyseni për gjendjen e sigurisë publike, por qëllimi kryesor është takimi me KKSB-në, i cilin është njëri nga mekanizmat komunal më të suksesshëm, pasi ka vizita dhe angazhime konkrete, që ka si përfaqësim politik e qytetar dhe përfaqësues të religjioneve, partive politike dhe shoqërisë civile.
KKSB e Gjilanit është marrë shembull i mirë dhe dua të them se ka prodhuar dy angazhime konkrete, dialogun ndërfetar ndërmjet institucioneve fetare dhe aktiviteti tjetër është Muaji i Tolerancës që do të jetë muaj i menaxhuar dhe koordinuar nga vetë krerët fetarë dhe KKSB, tha kryetari Haziri.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni vlerësoi aktivitetet përmbajtjesore dhe sistematike të KKSB-së, që ka një rëndësi të dorës së parë në atë që e quajmë ruajtje dhe kultivim të harmonisë fetare, mirëkuptimit ndëretnik etj.
Ka shumë rëndësi funksionalizimi i KKSB-ve, në funksion të zbritjes së mesazhit në nivelet më bazike të organizimit social te familja, shkolla, lagjja, komuniteti, xhamia e kisha, gjithnjë me qëllim të parandalimit të fenomeneve të dëmshme për shoqërinë dhe shtetin, tha ministri Hyseni.
Ministri Hyseni vuri ne dukje se njerëzit e mirë të këtij vendi e kanë obligim që ta përdorin një kundër narracion, të vënë në veprim kundër mesazhin për ta detronizuar mesazhin e keq që fton për dhunë, urrejtje ndëretnike e ndërfetare. Ai tha se Kosova është vend multikulturor, multietnik e multikonfesional dhe kjo është pasuri që duhet ta ruajmë.