Ministri Hyseni vizitoi komunën e Lipjanit dhe Ferizajt
Prishtinë, 23 korrik - Në vazhdën e vizitave, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka vizituar komunën e Lipjanit dhe atë të Ferizajt.
Fillimisht, ministri Hyseni takoi kryetarin e Lipjanit, z. Imri Ahmeti. Gjatë këtij takimi u diskutua për rendin dhe sigurinë në komunën e Lipjanit.
Kryetari Imri Ahmeti theksoi se në këtë komunë ka një trend të rënies të llojeve të ndryshme të krimit, pavarësisht se në këtë komunë jetojnë një numër i konsiderueshëm i komuniteteve.
Më pas, ministri Hyseni vazhdoi vizitën e tij në komunën e Ferizajt, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, z. Muharrem Svarqa. Edhe me këtë rast, nuk u theksua ndonjë shqetësim lidhur me gjendjen e sigurisë në Ferizaj.
Në këtë takim u diskutua për format e parandalimit të migrimit ilegal, parandalimin e zjarreve dhe pritjet e përcjelljen e mërgimtarëve, si dhe çështja e ekstremizmit fetar.
Ministri Skender Hyseni theksoi se me gjithë trendin e rënies së veprave kriminale, institucionet e sigurisë së vendit do të vazhdojnë të punojnë që ky trend i rënies të vazhdojë të bie.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës në të dyja rajonet janë të angazhuar maksimalisht për tu përgjigjur secilit rast kriminal që mund të raportohet, tha ministri Hyseni.
Në të dy komunat, ministri Skender Hyseni gjithashtu takoi edhe Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi, ku biseduan në detaje për çështjen e rendit dhe sigurisë të të dyjave komunave.
Qëllimi i këtyre vizitave në rend të parë është që të bisedohet me Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi, për shqetësimet rreth radikalizmit të shoqërisë.