Ministri Hyseni po qëndron për një vizitë pune në New York
Gjatë ditës së parë të takimit në New York, Ministri Hyseni ka zhvilluar takime të veçanta me Stefan Feller, Shef i Divizionit Policor në Departamentin për Operacionet Paqeruajtëse të OKB-së.
Në këtë takim, Ministri Hyseni dhe Feller kanë zhvilluar një diskutim substancial rreth bashkëpunimit policor ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ministri Hyseni ka njoftuar z. Feller me përmbajtjen e aplikacionit për anëtarësim në INTERPOL të cilin Kosova e ka dorëzuar në fund të prillit. Me këtë rast, Ministri Hyseni ka ofruar argumente të fuqishme pse Kosova duhet të jetë anëtare e INTERPOL-it dhe i ka ftuar agjencitë përkatëse të OKB-së që ta përkrahin këtë anëtarësim.
Ka ardhur koha kur Kosova duhet të marrë përgjegjësitë e saj të plota në rrafshin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Me gjithë respektin për rolin e UNMIK-ut deri më tash është nevojë e kohës dhe domosdo që Kosova të ketë qasje direkt në informacionin e INTERPOL-it dhe të ofrojë informacion në kthim rreth çështjeve që bien nën jurisdiksionin e INTERPOL-it, theksoi Ministri Hyseni.
Ndërsa z. Feller, pasi vlerësoi lartë të arriturat e Kosovës në fushën e krijimit të kapaciteteve për luftimin e krimit të organizuar transnacional, e vlerësoi të rëndësishme që Kosova të përkrahet në përpjekjet e saja për bashkëpunim ndërkombëtar policor.
Gjatë ditës së djeshme Ministri Hyseni ka takuar po ashtu znj. Jane Hall Lute Ndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm, e ngarkuar po ashtu për rialokimin e banuesve të Kampit Hurriyah jashtë Irakut.
Edhe në këtë takim është biseduar në hollësi për punën që Kosova po bën në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Me këtë rast u tha se vlerësohet shumë puna e Kosovës për tu bërë pjesë efikase e koalicionit anti-ekstremist dhe anti-terrorist.
Po ashtu gjatë ditës së djeshme Ministri Hyseni ka takuar edhe përfaqësuesin e përhershëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Ambasadorin Ufuk Gokcen, pastaj Përfaqësuesin e Përhershëm të Sllovenisë, Ambasadorin Andrej Logar, si dhe atë të Italisë, Ambasadorin Sebastiano Cardi.
Në të gjitha këto takime temë bosht e bisedës ishte kërkesa e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.
U kërkua përkrahja e këtyre vendeve dhe organizatave ndërkombëtare me qëllim që të rrumbullakohet anëtarësimi. Të gjithë bashkëbiseduesit e Ministrit në këto takime janë pajtuar se Kosova duhet të bëhet pjesë e organizmave ndërkombëtarë dhe kanë ofruar përkrahjen e tyre që kjo të arrihet.