Ministri gjerman prekë realitetin në Mitrovicë
Prishtinë, 5 Maj - Ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Gjermanisë, Dirk Niebel, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka vizituar të mërkurën në mbrëmje urën e Ibrit, për të parë për së afërmi realitetin në këtë qytet. Ai gjithashtu ka vizituar edhe Lagjen e Romëve dhe ka zhvilluar një takim me kreun e komunës.
Ministri Niebel, i cili shoqërohej edhe nga deputetë të Bundestagut, është interesuar për situatën në Mitrovicë, mandej për përgatitjet e komunës sa i përket riatdhesimit të kosovarëve etj. Ndërsa gjatë vizitës në Lagjen e Romëve ai ka takuar banorët e kthyer me të cilët ka biseduar për integrimin e tyre.
Në anën tjetër, kryetari Kastrati, e ka falënderuar ministrin gjerman për ndihmën e ofruar nga shteti i tij për emigrantët kosovarë dhe për shtetin e Kosovës. Mandej e ka informuar atë për përgatitjet që janë duke u bërë për pritjen e qytetarëve që do të riatdhesohen. Ne kemi marrë masa dhe jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me këtë proces.
Ndërsa sa i përket situatës në Mitrovicë, kryetari Kastari, ka folur për siguri të brishtë si pasojë e funksionimit të strukturave paralele serbe, të cilat vazhdimisht tentojnë të mbajnë një ambient të tensionuar. Ka probleme meqë nuk funksionin rendi dhe ligji. Qytetarët shqiptarë nuk mund të lëvizin lirshëm në veri, nuk mund të shfrytëzojnë pronat e veta, përderisa në jug është një realitet krejt tjetër për pjesëtarët e të gjitha komuniteteve.
Për kthimin e romëve në Lagjen e tyre të ndërtuar, tha se projekti për kthimin e tyre është rrëfimi më i suksesshëm në gjithë Kosovën. Madje kushtet që kanë të kthyerit në Lagjen e Romëve i vlerësoi si më të mirat në gjithë rajonin.