Ministri dhe Komandanti i FSK-së bëjnë homazhe në Prekaz
Prekaz, 28 nëntor - Ministri Agim Çeku së bashku me Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastratin, me rastin e 28 Nëntorit; Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ditës së Flamurit, Ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe 15 vjetorit të daljes publike të UÇK-së, kanë bërë homazhe dhe vendosur lule në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Ministri Agim Ceku, ka thënë, se përmes homazheve ne nderuam komandantin legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë heronjtë e kombit.
\"28 Nëntori është një datë që ndërlidhe dy ngjarje të mëdha për popullin shqiptar; Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditëlindja e Komandantit Legjendar, e që janë nga ngjarjet më të ndritura të popullit tonë\", ka theksuar ai.
Delegacioni i ministrisë së FSK-së dhe FSK-së, pas homazheve dhe nderimeve, vizituan edhe Kullën e Familjes Jashari,ku u pritën nga Baca Rifat Jashari.
Ministri Çeku i uroi Familjes Jashari 28 nëntorin, 101 vjetorin e Pavarësinë, ditëlindjen e Komandantit legjendar Adem Jashari, dhe e çmoj lartë sakrificën e pashembullt të familjes Jashari, për liri dhe pavarësi.
Në emër të Familjes Jashari, Baca Rifat, falënderoi ministrin dhe delegacionin e FSK-së, për vizitën si edhe u uroi të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, festën e 28 Nëntorit.
Në delegacionin e ministrisë së FSK-së dhe FSK-së, morën pjesë edhe zëvendësministri i FSK-së, Muhamet Latifi, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneralmajor Rrahman Rama, Sekretari i Përgjithshëm Shkëlzen Sylaj, drejtori i Drejtorisë për Politikë dhe Plane, Haxhi Shala dhe gjeneralët: Zymer Halimi, Nazmi Brahimaj, Enver Cikaqi, Imri Ilazi, Gëzim Hazrolli, kolonel Naim Haziri, si dhe oficerë të të gjitha njësive të FSK-së.