Ministri Demolli po merr pjesë në konferencën e sigurisë në Letoni
Riga, 7 nëntor - Me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes së Letonisë, Ministri i FSK-së zoti Haki Demolli i shoqëruar edhe nga Drejtori i Drejtorisë për Politika dhe Plane zoti Faruk Geci si dhe atasheu i ushtarak i Kosovës në Belgjikë kolonel Ahmet Ajeti po qëndrojnë në Riga të Letonisë në Konferencën e 10 të sigurisë Konferenca e Rigës.
Gjatë ditës së djeshme Ministri Demolli me bashkëpunëtor ka pasur takim të veçantë në Ministrin e Mbrojtjes me Ministrin e Mbrojtjes së Letonisë zotin Raimonds Bergmanis.
Gjatë takimit janë diskutuar për mbështetjen e më tejme të Letonisë me këshilltarë në kuadër të Ekipit Këshillues të NATO-s (NAT), por edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mbi bazën e Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar më herët në mes të dy ministrive përkatëse.
Me këtë rast është kërkuar që grupet punuese të krijojnë një plan konkret të bashkëpunimit, me ato aktivitete që do mund të nënshkruhen në vizitën e radhës të Ministrit të Mbrojtjes së Letonisë në Kosovë, me qëllim që ky plan bashkëpunimi të realizohet gjatë vitit 2016.
Po ashtu ministri Bergmanis u angazhua që Ministria e Mbrojtjes së Letonisë të ndihmojë MFSK-në dhe FSK-në në aspektin e procesit të transformimit, sidomos në aspektin e funksionalizimit të strukturës së ardhshme të Ministrisë dhe Forcës si dhe në aspektin afatgjatë të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe BE.
Në sesionet e rregullta të konferencës është duke u diskutuar për çështje të rëndësishme si: ngritja gjeo-ekonomike, NATO në mbrojtjen e stabilitetit global, QUO VADIS Rusi në shekullin 21, përgjigja në gjeneratën e re të luftës, e ardhmja evropiane dhe çështje tjera.
Ne këtë konferencë po marrin pjesë Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes se Letonisë, Kryeministri i Ukrainës , zëvendës presidenti i Komisionit Evropian, ambasador të vendeve të ndryshme, ushtarak dhe ekspert të fushës së mbrojtjes dhe sigurisë.