Ministri Çeku takohet me ministrin e Mbrojtjes së Britanisë
Londër, 9 gusht - Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës Agim Çeku, me ftesë të ministrit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar Andrew Murrison, po qëndron për një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.
Dje, ministri i FSK-së Agim Çeku, u prit, në takime të ndara, nga ministri i Mbrojtjes Andru Morrison dhe nga shefi i Shtabit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, gjenerali Nicholas Haughton.
Ministri i FSK-së, ka falënderua ministrin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Murrison dhe shefin e Shtabit të Mbrojtjes, gjeneralin Haugton, për ndihmën e gjithanshme, që Mbretëria e Bashkuar po i jep në vazhdimësi Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Me këtë rast, ministri Çeku, informoi mikpritësit me zhvillimet në FSK; me konfirmimin e NATO-s për arritjen e Kapaciteteve të Plota Operacionale si dhe me ecurinë e procesit të Rishikimit të Sektorit Strategjik të Sigurisë.
Po ashtu të dy palët biseduan për realizimin e dinamikës së planit të bashkëpunimit sipas Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të dy ministrive përkatëse.
Ministri Agim Çeku së bashku me gjeneralmajor Rrahman Rama, sot, do të marrin pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të organizuar nga Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst. Në mesin e të diplomuarve janë edhe dy kadete të FSK-së.
Pas ceremonisë së diplomimit të kadetëve, ministri i FSK-së Agim Çeku dhe gjeneralmajor Rrahman Rama, do të kenë takime të rëndësishme me drejtuesit e Akademisë Ushtarake Mbretërore Sandhurst dhe personalitete tjera.