Ministri Çeku priti atashetë ushtarak të akredituar në Kosovë
Prishtinë, 2 korrik - Në ambientet e Kazermës Adem Jashari të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, në Prishtinë, sot u mbajt takimi i radhës me atashetë ushtarak të akredituar në Republikën e Kosovës.
Në takim morën pjesë: Ministri i FSK-së në detyrë, z. Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati si dhe stafi i lartë i MFSK-së dhe FSK-së.
Në fjalën e tij, ministri Agim Çeku, falënderoi të gjithë atashetë ushtarak për angazhimin dhe për bashkëpunimin e mirë që kanë me FSK- në, dhe më pastaj i njoftoi për situatën e tanishme politike dhe ndikimin që ka kjo në proceset e FSK-së. Ministri foli edhe për procesin e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë(RSSS) si dhe planin e implementimit të RSSS-së.
Gjithashtu, ministri në largim Agim Çeku i njoftoi me disa nga të arriturat e FSK-së, si intervenimin me sukses në Termocentralin Kosova A dhe pjesëmarrjen e kadetëve të FSK-së, në Kampin Veror 2014, mbajtur në Krivollak të Maqedonisë.
Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati i njoftoi atashetë për ngritjen e vazhdueshme të FSK-së, si një forcë profesionale dhe shumë etnike, dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve operacionale, angazhimin në deminim, operacionet e Kërkim-Shpëtimit dhe projekteve humanitare të FSK-së.
Gatishmëria për të reaguar sa më shpejtë dhe sa me efikasitet e FSK-së, në rast të ndonjë krize apo fatkeqësie është treguesi më i mirë i moralit të lartë dhe profesionalizimit të pjesëtarëve të FSK-së. Rasti i shpërthimit në Termocentralin Kosova A dhe reagimi profesional i FSK-së, është edhe një shembull tjetër, që tregon se FSK tashmë ka arritur standarde të larta profesionale dhe gatishmëri të lartë për të reaguar tha në fjalën e tij komandanti i FSK-së, gjeneral Kastrati.
Ndërsa për bashkëpunimin rajonal të FSK-së, gjeneral Kastrati tha: FSK ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar me forcat e vendeve të rajonit dhe po merr pjesë nëpër shumë aktivitete, ushtrime dhe trajnime të përbashkëta me vendet e rajonit dhe më gjerë. Këto arritje janë bërë vetëm me gatishmërinë dhe impenjimin e vendeve partnere, pra vendeve tuaja të cilat e kanë përkrahur dhe po e përkrahin vazhdimisht FSK-së, në ngritjen e vazhdueshme profesionale përmes trajnimeve, shkollimeve, asistencës me pajisje dhe këshillime në shumë fusha të misionit
Komandanti i FSK-së, gjeneral Kastrati ka falënderuar atashetë dhe shtet e tyre, për përkrahjen e vazhdueshme për FSK-në. Përkrahja juaj e vazhdueshme dhe shumëdimensionale në shumë aspekte si me trajnime, shkollime, pajisje, përmes bashkëpunimit bilateral dhe multilateral, padyshim se ka kontribuar në atë, që FSK-ja ka arrit, ku është sot
Në fund, gjeneral Kastrati kërkoi pjesëmarrjen e FSK-së, për të asistuar dhe për të dhënë kontributin e saj, me vendet partnere: Thënë më qartë ne mendojmë se një apo disa vende partnere mund të marrin përgjegjësinë ose mund të japin kontributin për të asistuar FSK-ja, në njërën nga fushë veprimtaritë e saj. Po e zëmë pjesën e asistencës për logjistikë do tia ofronim Republikës Federale të Gjermanisë, fushën e mjekësisë Mbretërisë së Bashkuar, ngritjen e Njësisë së Kërkim Shpëtimit Regjional dhe Qendrës së Ekselencës SHBA dhe Mbretërisë Suedeze, trajnimet për Policinë e Forcës Sllovenisë dhe Italisë tha në fund Gjeneral Kastrati.
Në takimin e sotëm me atashe ushtarak, me nga një fjalë, kontribuuan edhe Faruk Geci, i cili foli për planin e Implementimit të RSSS-së, nënkolonel Hysen Geci foli për bashkëpunimin bilateral të FSK-së dhe nënkolonel Agron Bajrami foli për të arriturat e përgjithshme të Qendrës së Ekselencës dhe Kërkim-Shpëtimin e FSK-së.
Në takimin e sotëm, morën pjesë atasheu ushtarak i Amerikës kolonel Jejms Kot, atasheu ushtarak i Republikës së Shqipërisë, kolonel Fiqri Hoxha, atasheu ushtarak i Republikës së Turqisë, kolonel Hasan Aydogdu, kolonel Luciano Palcani, atashu ushtarak i Republikës së Italisë, kolonel Dolce Kuzmanov, atasheu ushtarak i Republikës së Maqedonisë, kolonel Ivica Mateshiq atashe ushtarak i Republikës së Kroacisë, nënkolonel Kurt Jakobson atashe i Suedisë, nënkolonel Richard Parry atashe i Mbretërisë së Bashkuar e të tjerë.
Takimet me atashetë ushtarak janë takime të rregullta dhe konfirmojnë koordinimin dhe bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së MFSK-së dhe FSK-së, me ushtritë e vendeve të cilat përfaqësojnë atashetë e akredituar në Republikën e Kosovës.