Ministrat e NATO javën e ardhshme shqyrtojnë situatën në Kosovë
Bruksel, 2 tetor - Sekretari i përgjithshëm i aleancës veriatlantike, Anders Fogh Rasmussen ka bërë të ditur se Ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, javën e ardhshme në Bruksel, do ta shqyrtojnë situatën në Kosovë dhe veprimin e misionit KFOR.
Ai theksoi se ministrat e NATO-s dhe të vendeve partnere, më 9 dhe 10 tetor do të diskutojnë për temat kryesore të misioneve të NATO-s në Afganistan dhe Kosovë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Megjithqë nuk janë dhënë detaje të tjera në selinë e NATO-s për këtë takim, pritet që ministrat e mbrojtjes do ta analizojnë situatën e sigurisë në Kosovë dhe do të diskutojnë për planet e mëtejshme lidhur me misionin paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë, KFOR, që aktualisht i ka 6 mijë ushtarë.