MFSK thellon bashkëpunimin me Ministrisë së Mbrojtjes të Letonisë
Riga, 6 nëntor - Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, Agim Çeku së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastratin dhe sekretarin e përgjithshëm, Shkëlzen Sylaj, me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes të Letonisë, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Republikën e Letonisë.
Delegacioni i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës u prit në Riga nga ministri i Mbrojtjes së Letonisë, z. Raimonds Vejonis dhe stafi i lartë kësaj ministrie.
Ministria për Forcën e Sigurisë të Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes të Letonisë kanë marrëveshje bashkëpunimi, dhe kjo vizitë po zhvillohet me qëllim të thellimit të këtij bashkëpunimi.
Ministri i Letonisë i konfirmoi ministrit Çeku gatishmërinë e tij për mbështetjen në zhvillimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh në mes dy ministrive.
Ministri i FSK-së, Agim Çeku, me këtë rast, falënderoi ministrin e Mbrojtjes si dhe Qeverinë e Letonisë për mbështetjen e pakursyer për zhvillimin e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, që është thelbësore për Kosovën.
Ministri i Mbrojtjes së Letonisë, Raimonds Vejonis, gjatë takimit, i premtoi ministrit Çeku ndihmën dhe mbështetjen e tij për FSK-në dhe Kosovën në integrimet evropiane dhe euro-atlantike.Letonia i mbështet aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe është e gatshme të ndajë me të përvojën e saj në lidhje me procesin e integrimit në NATO.
\"Unë jam shumë i kënaqur me bashkëpunim e mirë në mes të Letonisë dhe MFSK-së. Letonia është gjithashtu e gatshme ta ndihmoi Kosovën në zhvillimin e forcave të saj të armatosura në të ardhmën.
Ndërsa, ministri i MFSK-së, z. Agim Ceku, u shpreh falënderues për ndihmën e Letonisë.
Unë jam shumë mirënjohës për ndihmën e vazhdueshme të Letonisë për Kosovën, aq më tepër jam mirënjohës dhe e vlerësoj faktin se Letonia është njëra ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Ne i jemi mirënjohës edhe Ministrisë së Mbrojtjes të Letonisë e cila ka kontribuar dhe po vazhdon të kontribuojë me angazhimin e ekspertëve të saj profesional në Ekipin Këshillues të NATO-s.
Ministri Çeku e informoi homologun e tij edhe për planet e Kosovës, për ngritjen e forcave të saj të armatosura, dhe theksoi se Kosova dëshiron ti bëjë këto zhvillime me mbështetjen e NATO-s.
Delegacioni i MFSK-së, më pas, vazhdoi vizitën e tij në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Kombëtare të Letonisë dhe në Bazën Ushtarake në Adazhi.