MFSK nënshkruan marrëveshja me Ministrinë e Mbrojtjes së Sllovenisë
Prishtinë, 11 qershor - Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës Agim Çeku, me ftesë të ministrit të Mbrojtjes së Sllovenisë, Jakiq, po qëndron për një vizitë zyrtare në Slloveni.
Sot, ministri Agim Çeku dhe ministri i Mbrojtjes së Sllovenisë Roman Jakiq, nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, në mes të dy ministrive, asaj të Sllovenisë dhe të Ministrisë së FSK-së.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të ofrojë një kornizë, për bashkëpunim midis dy ministrive brenda kufijve të kompetencave të parashikuara nga legjislacioni përkatës kombëtar dhe në përputhje me parimet e ligjit ndërkombëtar dhe praktikës ndërkombëtare.
Sipas marrëveshjes, fushat në të cilat do të bashkëpunojnë këto dy ministri, janë: siguria dhe stabiliteti ndërkombëtar, edukimi dhe trajnimi, planifikimi dhe financimi, logjistika, çështjet juridike, çështjet mjedisore si dhe fushat tjera të bashkëpunimit dy palësh.
Me këtë rast, ministri i FSK-së, Agim Çeku, tha se, Sllovenia është një shembull i mirë i bashkëpunimit dhe gjithçka që vjen nga ky vend, populli i Kosovës e vlerëson shumë.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes së Sllovenisë, Roman Jakiq, shtoi se; ne jemi të hapur ti shkëmbejmë përvojat tona dhe premtoj ta ndihmojnë FSK-në si u shpreh ai për: çka do që ju nevojitet juve, ne jemi të gatshëm tju ndihmojmë, sepse Kosova është prioriteti ynë.
Gjatë qëndrimit në Slloveni, ministri Agim Çeku, u prit edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Sllovenisë, gjeneralbrigade Dobran Boziq.
Ministri Agim Çeku, me delegacionin që ai udhëheqë, po sot, vizituan edhe Akademinë Ushtarake, ku përmes një prezantimi u njoftua me punën e Qendrës së shkollave ushtarake; Komandën e Doktrinës, Edukimit dhe Trajnimit.
Ndërsa, nesër pritet, që ministri i FSK-së Agim Çeku, të vizitojë edhe qendrën e Trajnimit për Mbrojtje dhe Ndihmë Civile të Republikës së Sllovenisë.