Mekajt i rivendoset arresti shtëpiak për një muaj
Prishtinë, 6 gusht - Kryetari i suspenduar i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, dhe e pandehura Vlora Gorani do të qëndrojnë në arrest shtëpiak deri më 20 gusht të këtij viti dhe në pritje të veprimeve të reja të organeve të drejtësisë.
Ky është vendimi i gjyqtares Alltene Murseli e Gjykatës Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamentit për krime të rënda në atë gjykatë, i cili u kumtua të mërkurën një ditë pas seancës për rivendosjen e masës së sigurisë ndaj Mekajt dhe Goranit, shkruan sot Koha Ditore.
Murseli ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të dy kanë kryer veprat penale për të cilat po hetohen, dyshim ky për të cilin ditë më parë kolegji i gjyqtarëve të deleguar nga KGJK në Apel kishte kërkuar prova bindëse.
Masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit Salih Mekaj është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KP të RK-së dhe të ushtrimit të ndikimit nga neni 431 të KP të RK-së, ndërsa ndaj të pandehurës Vlora Gorani për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhënie e ryshfetit nga neni 429 të KP të RK-së, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.
Dyshimeve të Apelit lidhur me mungesën e provave për të faktuar dyshimin e bazuar se Mekaj dhe Gorani duhet të qëndrojnë në masë të arrestit shtëpiak dhe kanë kryer veprat për të cilat po hetohen, në seancën e rivendosjes së masës së sigurisë iu kishte kundërpërgjigjur prokurorja Drita Hajdari, që po i heton të dy.
/Koha Ditore/