Me urdhër të Prokurorisë Speciale ndalohet i dyshuari Kadri Shala
Prishtinë, 26 tetor - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se, sot ka lëshuar aktvendim për ndalimin e personit të arrestuar, të dyshuarit me inicialet K.Sh, me dyshimin se ka qenë i përfshirë në rastin e keqpërdorimit të ndodhur në Departamentin e Thesarit/Ministria e Financave e Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale njofton se do të ndërmerren të gjitha veprimet përkatëse ligjore brenda afateve të përcaktuara me ligj.
Shala besohet se është pronar i kompanisë LDA Group, ku punonjësi i Thesarit të Kosovës, Labinot Gruda, përmes katër transferimeve, ka dërguar mbi 2 milionë euro.
Prokuroria e Kosovës pretendon se Gruda i ka bërë këto transferime më 9 tetor, ndërsa është arrestuar më 20 tetor.
Sipas organit të hetuesisë, Gruda i ka bërë këto veprime në një periudhë prej 8 minutash.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 tetor, i ka caktuar Grudës masën e paraburgimit prej një muaji.
Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se transferimi i mbi 2 milionë eurove është bërë përmes një sulmi kibernetik.
“Ky është krim ekonomik, i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer fjalëkalimet”, ka deklaruar ministrja Bajrami.
Kompania LDA Group, sipas Agjencisë së Regjistrit të Bizneseve, është regjistruar si biznes në gusht të vitit 2019.
Si pronarë të këtij biznesi figurojnë K.Sh dhe V.Sh, ndërsa si veprimtari kryesore e ka të përcaktuar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërsa veprimatri dytësore demolimin e objekteve.