Me nderime varros oficeri i FSK-së Kapiten Sherif Voca
Mitrovicë, 15 prill - Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), të hënën me një ceremoni dinjitoze i dha lamtumirën e fundit pjesëtarit të FSK-së, Kapiten Sherif Voca, i cili ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë.
Me rastin e vdekjes së kapiten Sherif Vocës, gjatë ditës së djeshme Batalioni i Tretë i Brigadës së Reagimit të Shpejtë (BRSH-së), në Mitrovicë, në të cilin i ndjeri kapiten Sherif Voca, ishte Komandant Kompanie, në ambientet e kazermës Minatori kishte organizuar homazhe në nderim të tij, ku kishin ardhur për t`u përshëndetur për herë të fundit shumë pjesëtarë të FSK-së, bashkëluftëtarë, miq dhe familjar.
Me këtë rast homazhe kanë bërë edhe Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Kadri Kastrati, zëvendëskomandanti i Forcave Tokësore, Gjeneral brigade, Gëzim Hazrolli, komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejt (BRSH-së) Gjeneral brigade, Nazmi Brahimaj, stafi i lartë i MFSK dhe FSK-së, komandanti i Batalionit të Tretë nënkolonel Arsim Shaqiri si dhe ushtarët e batalionit të Tretë të BRSH-së.
Në ceremoninë e varrimit e cila u mbajt në varrezat e fshatit të lindjes, Liqej të Komunës së Vushtrrisë, në emër të FSK-së foli gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, i cili në fjalën e tij lamtumirëse për Kapiten Sherif Voca tha: Ishte oficer i devotshëm, i përkushtuar dhe besnikë në realizimin e objektivit tonë drejtë bërjes së Forcës së Armatosur të Kosovës. Ishte kontribuues i Lirisë së Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit tonë, që nga pjesëmarrja e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), më pas dha kontributin e tij në TMK, po ashtu ishte shembull i mirë si oficer i pa lodhur në FSK.
Një fjalë rasti mbajti edhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së Shasivar Shala i cili evokoi kujtime për jetën dhe veprimtarin e Sherif Vocës, për aktivitetin e tij gjatë luftës çlirimtare të tij dhe të familjes nëpërgjithësi.
Të pranishmit i përshëndeti edhe vëllai i të ndjerit Kapiten Sherif Vocës, i cili theksoi se Sherifi sa ishte i familjes ishte edhe i juaji prandaj e vlerësojmë shumë pranin tuaj dhe prezencën tuaj qe sot jeni këtu me ne për të ndarë dhimbjen së bashku.
Mbi varrin e Kapiten Sherif Vocës u vendosën kurora lulesh nga Stafi i lartë i MFSK-së, ushtarët dhe eprorët e FSK-së, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, familjarë miq e shokë.