Me 21 maj në Kosovë mbahet ushtrimi më i madh ndërkombëtar ushtarak
Prishtinë, 16 maj - Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se me 21 maj në Kosovë do të mbahet ceremonia e hapjes së ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe '23”.
Në këtë ceremoni do të marrin pjesë personalitetet më të larta shtetërore, duke filluar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministra të mbrojtjes së vendeve fqinje, si dhe personalitete të shquara nga aleatët tonë strategjikë, nga SHBA si dhe vendet tjera partnere.
Për shkaqe sigurie, ftojmë mediat dhe gazetarët, të cilët do të përcjellin këtë ceremoni, që deri nesër, me 17.05.2023, ora 16:00, të dërgojnë të dhënat e tyre (emri, mbiemri, numri personal i letërnjoftimit, pozita/profesioni dhe mediumi ku punon) në këtë e-mail adresë: [email protected].
Mos dërgimi i këtyre të dhënave pamundëson pjesëmarrjen e mediave brenda zonës së sigurisë.
Nga data 21 maj deri më 2 qershor, Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe '23”, me ç'rast do të validohen kapacitet e dy regjimenteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e po ashtu do të tregohet shkalla e ndërveprimit ushtarak, përkrah forcave të shteteve partnere.
Forca e Sigurisë së Kosovës, Forcë e gatshme për të kontribuar në çdo mision të NATO-s.