Më 17 qershor në Bruksel bisedohet për urën mbi lumin Ibër
Mitrovicë, 11 qershor - Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka pritur këshilltarin për politika të jashtme dhe koordinator për dialogun për veriun, në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Boyd Mckechnie.
Ata kanë biseduar për përgatitjen e takimit, që në kuadër të Grupit punues për Liri të Lëvizjes (ura e Mitrovicës) do të mbahet të mërkurën, më 17.06.2015 në Bruksel, ku do të marrin pjesë edhe kryetari Bahtiri dhe kryetari i komunës së re në veri të Mitrovicës, Goran Rakiq.
Në takim do të bisedohet për çështjet që kanë mbetur për tu biseduar që nga takimi i korrikut të vitit 2014, me çrast do të propozohen zgjidhje konkrete lidhur me urën kryesore të qytetit mbi lumin Ibër.
Kryetari Bahtiri tha se është i gatshëm për të marrë pjesë në bisedime lidhur me këtë çështje tepër të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.