MD do të respektojë të drejtat ligjore të burgosurve
Prishtinë, 12 nëntor - Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i shoqëruar nga u.d. i drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj dhe drejtori i Shërbimit Sprovues të Kosovës, Bajram Bujupi sot takuan Emine Kaqiku, kryetare e Panelit për Lirim më Kusht i cili funksionon në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Në takim u bisedua për rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit më të mirë të punëve mes Panelit për Lirim me Kusht, Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Sprovues të Kosovës.
Ministri Kuçi kërkoi nga Shërbimi Korrektues që raportet që i dërgohen për shqyrtim Panelit për Lirim me Kusht të jenë sa më profesionale, joselektive dhe të mbështetura në fakte në mënyrë që Paneli të merr vendimet e duhura në përputhje të plotë me ligjin.
Ai po ashtu kërkojë avancim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes Panelit për Lirim me kusht dhe Shërbim Sprovues të Kosovës, në mbikëqyrjen e personave që përfitojnë nga lirimi me kusht.
Ministri Kuçi duke i ofruar mbështetje punës së pavarur të Panelit për Lirim me Kusht, theksoi se do të verifikohen raportet dhe përgjegjësit e shkeljeve eventuale do të ndëshkohen.
Ministria e Drejtësisë do të respektojë të drejtat ligjore të burgosurve dhe në vazhdimësi do të vlerësojë sjelljen e tyre të mirë në Qendrat Korrektuese, thuhet në njoftim.