MD angazhohet për vendosjen e amnistisë si kategori kushtetuese
Prishtinë, 4 shtator - Ministria e Drejtësisë vazhdimisht është duke punuar që Instituti i Amnistisë, të përfshihet si kategori kushtetuese në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, mënyrë kjo, e cila do ti hap rrugë hartimit të Ligjit për Amnisti.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, që në muajin maj 2011, i është drejtuar me letër Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës, që në plotësimet e Kushtetutës, të përfshihet edhe Amnistia.
Ndërsa në qershor të këtij viti, Ministri Kuçi ka propozuar në Qeveri amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe njëra nga pikat e propozimit të tij, ka qenë Amnistia, vendim që është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe i njëjti është dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për procedim të mëtejshëm.
Po ashtu, Ministri Kuçi në shumë debate publike ka premtuar së në momentin që Instituti i Amnistisë vendoset si kategori kushtetuese, Ministria e Drejtësisë do ti ndërmarrë hapat e menjëhershëm për fillimin e hartimit të Ligjit për Amnisti.
Andaj, Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të punojë që Instituti i Amnistisë të vendosët si kategori kushtetues, si dhe është e gatshme që të fillojë punën për hartimin e Ligjit për Amnisti, në momentin që të ketë bazë ligjore dhe kushtetuese për këtë çështje të rëndësishme.