Mbyllet për qarkullim rruga Zahir Pajaziti
Podujevë, 29 qershor - Komuna e Podujevës njofton se duke filluar nga data 3 korrik deri më 31 gusht, prej orës 18:00 deri në orën 24:00, do të mbahet mbyllur për qarkullim të automjeteve një segment i rrugës \"Zahir Pajaziti\" në Podujevë.
\"Mbyllja e rrugës kryesore (qendrës së qytetit) në Podujevë për qarkullim të automjeteve dhe mjeteve të tjera motorike bëhet me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për qytetarët e shumtë të cilët dalin në shëtitje në orët e mbrëmjes, sidomos gjatë periudhës verore korrik-gush), kur kthehen në vendlindje shumë qytetarë, që punojnë dhe jetojnë jashtë Kosovës\", njofton Zyra për Informim e Komunës së Podujevës.
Duke marrë parasysh se ka edhe shumë kërkesa nga banorët për shtim të rrugëve të lira dhe shëtitje të qetë në orët e mbrëmjes, Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim mori vendim për mbylljen e përkohshme të rrugës Zahir Pajaziti (segmenti i rrugës nga udhëkryqi i rrugës Zahir Pajaziti rruga Ilir Konushevci deri në udhëkryqin e rrugës Zahir Pajaziti rruga 20 Qershori.