Mbrojtja e refugjatëve dhe migrimi ndërkombëtar në Ballkan
Prishtinë, 13 nëntor - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt tryeza e rrumbullakët e organizuar nga zyra e zëvendësministrit Izmi Zeka, në bashkëpunim me UNHCR-së dhe IOM-it, me temë \"Mbrojtja e Refugjatëve dhe Migrimi Ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor.
Zëvendësministri Izmi Zeka tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, duke marrë për bazë obligimet që dalin nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave, sfidat e identifikuara në Raportet e Progresit të viteve 2012 dhe 2013, studimit të Fizibilitetit të Komisionit Evropian, ka filluar ti zhvillojë kapacitetet dhe ekspertizën mbi një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me migracionin.
Republika e Kosovës ka hartuar dhe aprovuar ligje dhe dokumente tjera strategjike relevante që dalin si nevojë e përmbushjes së kritereve teknike nga procesi i liberalizimit të vizave. Ky legjislacion është në harmoni me Acquis Communitaire të BE-se, tha Zeka.
Me këtë rast, u bë e ditur se është aprovuar Strategjia e Migrimit dhe Planin e Veprimit 2013-2018 dhe se janë në proces të hartimit të Profilit të Zgjeruar të Migrimit.
Roberto Cancel nga organizata IOM tha se organizimi i këtij takimi është hapi i parë drejt bashkëpunimit në nivel rajonal, duke shpresuar që të ketë një qasje të përgjithshme sa i përket migracionit.
Ndërkaq, përfaqësuesi i UNHCR-së Luca Curci theksoi iniciativën për një qasje rajonale në adresimin e sfidave përkitazi me mbrojtjen e refugjatëve dhe menaxhimin e migracioneve të përziera.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe për temat si Mbrojtja e Refugjatëve dhe Migrimet e Përziera, si dhe Bashkëpunimi ndër-Institucional në kontekstin e Mbrojtjes së Refugjatëve dhe Migrimit Ndërkombëtar.