Mbrojtja e dëshmitarëve shumë e rëndësishme për Gjykatën e Posaçme
Gjilan, 4 korrik - Kryetarja e Gjykatës së Posaçme të Kosovës për krime
lufte me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, tha të hënën se mbrojtja e
dëshmitarëve vazhdon të mbetet përparësi e punës së kësaj gjykate dhe
është një prej arsyeve kryesore të themelimit të saj.
Ajo i bëri këto komente gjatë një debati online duke theksuar rëndësinë e siç tha dënimit të dy ish drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për frikësim dëshmitarësh dhe pengim të drejtësisë.
“Rasti nuk ka të bëjë me krimet e luftës kundër njerëzimit por është një rast i rëndësishëm për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ky rast kishte të bënte me administrimin e duhur të drejtësisë, integritetin, sigurinë e mirëqenies dhe lirinë e dëshmitarëve nga frika. Mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi është një nga shtyllat kryesore për themelimin e Gjykatës së Posaçme”, tha ajo.
Zonja Trendafilova tha se Gjykata e Posaçme tashmë ka filluar hapat e parë të funksionimit duke nisur gjykimin e parë dhe është në pritje të rasteve tjera.
Puna e Gjykatës së Posaçme është kritikuar shpesh në Kosovë, ndërsa ditë më parë kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vizitoi disa nga ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare që po mbahen në paraburgim, akuzoi Gjykatën e Posaçme që nuk i jep llogari askujt dhe shtroi nevojën e krijimit të një mekanizmi të kontrollit dhe të llogaridhënies.
“E kam lexuar deklaratën e zotit Konjufca, kryetarit të Parlamentit dhe më duhet të shpreh pikëpamjen time. Ne jemi gjykatë. Asnjë gjykatë nuk mund të jetë nën mbikëqyrje që vjen nga legjislativi apo degë ekzekutive, kjo nuk është e mundur dhe kjo nuk ndodh askund në asnjë vend që promovon sundimin e ligjit”, tha zonja Trendafilova.
Aktualisht në Hagë ndodhen ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ish shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ish kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, si dhe dy ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.
Që të gjithë janë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më 15 shtator u hap procesi i parë gjyqësor për krime lufte, ndaj zotit Mustafa, i cili akuzohet për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.
Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.