Mbrojtja e dëshmitarëve përparësi e Gjykatës së Posaçme për Kosovën
Prishtinë, 7 shtator - Kryetarja e Gjykatës së Posaçme për krime lufte me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, tha të martën se mbrojtja e dëshmitarëve vazhdon të mbetet përparësi e punës së Gjykatës dhe se kjo është një prej arsyeve kryesore për themelimin e saj.
Ajo i bëri këto komente në Prishtinë gjatë një konferencë me gazetarë lidhur me punën e Gjykatës së Posaçme.
“Mbrojtja e dëshmitarëve është diçka në të cilën ne jemi shumë të përqednruar sepse edhe gjykimi më i mirë nuk vlen asgjë nëse ai zhvillohet në kurriz të jetës së njerëzve të mirë. Administratorja ka një ekip të përkushtuar dhe gjithmonë diskutojmë për çdo zhvillim dhe çdo gjë tjetër që mund të përmirësohet dhe në këtë aspekt shpresoj që nuk do të përballemi me ndonjë situatë apo problem dhe kjo çështje është shumë serioze. Unë besoj se kjo ka qenë një prej arsyeve pse është marrë vendimi për krijimin e kësaj gjykate”, tha ajo.
Zonja Trendafilova tha se gjyqtarët deri më tash janë treguar efektiv në trajtimin e rasteve ndërsa theksoi se nuk e di nëse do të ketë akuza tjera ndaj personave të tjerë.
“Mandati do të përfundojë sapo Këshilli i Evropës do të njoftojë Republikën e Kosovës se hetimet dhe procedurat e parashikuara atje kanë ardhur nga fundi”, tha ajo.
Veprimtarë të Partisë Socialdemokrate në Kosovë ndërprenë për pak çaste konferencën e zonjës Trendafilova, në shenjë proteste ndaj punës së kësaj gjykate. Policia arrestoi disa veprimtarë të kësaj partie përshirë edhe kryetarin e saj, Dardan Molliqaj.
Zonja Trendafilova tha se në mesin e këtij muaji pritet të fillojë procesi gjyqësor kundër Salih Mustafës i cili është akuzuar një vit më parë për krime lufte. Nga fundi i këtij muaji po ashtu pritet të nisë gjykimi edhe ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, drejtues të lartë Organizatës së Veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.