Mbrojtja Civile transformohet në qeveri të veriut
Mitrovicë, 18 gusht - Në miniqeveri do të transformohet Mbrojtja Civile. Brenda pak ditësh pjesëtarët e kësaj strukture paramilitare do të nisin të zhvillojnë aktivitetin shtetëror në zyra të njëjta në veriun e banuar me serbë, ku kanë vepruar prej vitesh ilegalisht, shkruan sot Koha Ditore.
Deri tash institucionet shtetërore të Kosovës kanë lidhur 105 kontrata me ta. Në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave janë rekrutuar 80 e në Shërbimin Korrektues 25.
Në pritje të firmosjes së kontratave janë edhe 378 pjesëtarë të tjerë të Mbrojtjes Civile. Prej tyre 184 do të rekrutohen në 9 ministri. Të tjerë pjesëtarë do të shpërndahen në 7 agjenci, në Administratën Tatimore e në Doganë.
Ndërkaq një fond kontingjent do të përbëhet prej 50 pjesëtarësh që parashihet të marrin paga, por vendet e tyre përfundimtare të punës do të përcaktohen në sektorin publik përbrenda tre vjetësh.
Edita Tahiri, ministre për dialog, ka treguar të hënën se si do të kthehen në zyra qeveritare ndërtesat në të cilat Mbrojtja Civile ka zhvilluar veprimtarinë, e të cilat ndodhen në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.
/Koha Ditore/