Mbretëria e Bashkuar vazhdon mbështetjen për FSK-në
Prishtinë, 27 prill - Ministri i FSK-së Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama pritën sot në takime të ndara ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës zotin Ruairi OConnell.
Ministri i FSK-së Haki Demolli i shoqëruar edhe nga zëvendësministri Fadil Gashi, priti sot në takim ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar zotin Ruairi OConnell i cili shoqërohej edhe nga atasheu ushtarak i Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë nënkolonel Richard Parry, dhe drejtori i Ekipit Këshillues të NATO-s (EKN) në MFSK zoti Dominic Braitwait.
Ministri Demolli pas urimit për emërimin në detyrën e ambasadorit në Kosovë, zotit Ruairi OConnell i shprehi falënderimet për bashkëpunimin e thellë dhe dinamik që ka ekzistuar në mes MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, duke vlerësuar lartë ndihmën e madhe që është dhënë në trajnimin dhe shkollimin e oficerëve të lartë të FSK-së në akademitë ushtarake elitare të Mbretërisë së Bashkuar si dhe me dërgimin e grupeve të instruktorëve ushtarak në Kosovë për të bashkëpunuar me FSK-në.
Gëzon fakti se i gjithë ky bashkëpunim zhvillohet mbi Memorandumin e Bashkëpunimit në mes të MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar të nënshkruar që në vitin 2009, e që ishte nënshkrimi i parë i një Memorandumi Bashkëpunimi i MFSK-së me një ministri të mbrojtjes.
Po ashtu ministri Demolli e njoftoi zotin ambasador edhe me zhvillimin e procesit për transformim e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), si dhe veprimet e kryera nga MFSK deri me sot që janë të nevojshme për këtë transformim, me objektiv të përhershëm për anëtarësim në NATO.
Nga ana e tij ambasadori Ruairi OConnell, shprehi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin.
Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama në takimin që pati me ambasadorin Ruairi OConnell, fillimisht e uroi për emërimin në detyrën e re të ambasadorit të Mbretërisë së bashkuar në Kosovë. Komandant Rama e njoftoi ambasadorin nga Mbretëria e Bashkuar për fazën e aktiviteteve të FSK-së, bashkëpunimin me NATO-n dhe bashkëpunimin e mirë me ushtritë e shteteve të rajonit.
Ai falënderoi kontributin e Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar në trajnimin e oficerëve dhe ushtarëve të FSK-së, qoftë përmes trajnimeve në Mbretërinë e Bashkuar, qoftë përmes instruktorëve që vijnë në FSK, dhe sidomos ai çmoi lartë pjesëmarrjen në ushtrime fushore të përbashkëta. Komandant Rama po ashtu foli edhe për përgatitjet dhe planifikimet e kryera për nevojat e transformimit të FSK-së në FAK, duke u angazhuar çdo herë se FAK do të jenë forcë për të mirë dhe në shërbim të sigurisë së rajonit dhe me gjerë.
Nga ana e ti ambasadori Ruairi OConnell përgëzoi komandant Ramën për arritjet e deri tashme në ngritjen e strukturës së FSK-së. Ai e vlerësoi si një e arritur e përbashkët, që Kosova nga konsumues i sigurisë po transformohet në eksportues të sigurisë përmes bashkëpunimit me ushtritë e rajonit dhe me NATO-n.