Mbretëria e Bashkuar është partner afatgjatë dhe i përkushtuar i Kosovë
Prishtinë, 30 nëntor - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, priti sot në takim ministrin e Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Hon Mark Lancaster dhe delegacionin e tij.
Ministri Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama fillimisht zhvilluan një takim të përbashkët me ministrin e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, zotëri Hon Lancaster, të shoqëruar edhe nga ambasadori fuqiplotë i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, zotëri Ruairi O’Conneli.
Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe dy forcave si dhe përkushtimin për vazhdimin e tyre në të ardhmen.
Më pas të dy delegacionet në përbërje të zgjeruar zhvilluan një takim më të gjerë, ku prezantuan oficeri i FSK-së, nënkolonel Ali Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për Bashkëpunim e Siguri si dhe oficeri i Ekipit Këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s për MFSK/FSK(NALT), kolonel David Nixon, për FSK-në, për misionin aktual dhe planet për të ardhmen si dhe për misionin e ekipit të NATO-s në MFSK/FSK.
Më pas të dy ministrat dhanë nga një deklaratë të shkurtër për mediat e interesuara.
Me këtë rast, ministri Berisha deklaroi se me kënaqësi ka pritur mikun e veçantë, ministrin nga Mbretëria e Bashkuar, i cili është në detyrën e ministrit të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar. Z. Lancester.
Ndër të tjera ministri Berisha tha: ,,Mbretëria e Bashkuar e ka ndihmuar shtetin tonë në rrugëtimin e vet drejt lirisë, pavarësisë dhe po vazhdon ta mbështesë drejt ndërtimit dhe forcimit të shtetit’’.
Sot, vazhdoi ministri ,, Dua t’ju njoftoj se Mbretëria e Bashkuar është shteti i parë që e ka nënshkrua marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të dy ministrive dhe që nga ajo kohë ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer në mes dy vendeve, sidomos në fushën e sigurisë, në arsimimin e pjesëtarëve tanë, shkollimin, trajnimet e ndryshme individuale dhe kolektive’’.
Ministri Berisha, më tej tha se e ka njoftuar ministrin britanik me objektivat e tij dhe të Ministrisë, me fokus të veçantë u bisedua rreth procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, duke theksuar: ,,Për transformimin kërkuam mbështetjen nga Mbretëria e Bashkuar në këtë drejtim, sepse ne mendojmë që transformimi i Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës do të rrumbullakësonte shtetësinë tonë, gjithashtu e njoftuam se jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme që transformimi të ndodhë me ndryshime kushtetuese për shkak se edhe votimi i ndryshimit në Parlament do të jetë më i lehtë nëse komuniteti jo-shumicë, në këtë rast deputetët e komunitetit serb do ta votojnë ndryshimin kushtetues, por edhe rruga drejt integrimit në NATO do të jetë shumë më e lehtë për Forcën e Sigurisë dhe Republikën e Kosovës.’’
Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, z. Hon Mark Lancaster duke iu drejtuar Ministrit z. Berisha tha: ,,Ministër është nderë për mua të jem këtu, sepse para 18 vitesh unë u investova personalisht këtu, duke shërbyer si ushtar. Është kënaqësi për mua gjithashtu të kthehem prapë këtu dhe ta shoh progresin që është bërë”.
Më tej, Ministri britanik tha: ,,Mbretëria e Bashkuar është partner afatgjatë dhe i përkushtuar i Kosovës, dhe unë kam qenë shumë i impresionuar jo vetëm me progresin në bashkëpunimin e dy shteteve tona, por edhe për progresin në FSK’’.
Lidhur me FSK-në, ministri Lancaster tha: ,, FSK-ja është një organizatë me profesionalizëm të lartë dhe inkluzive dhe e di se për shumë vjet Ushtria e Mbretërisë së Bashkuar ka punuar shumë në trajnime dhe në përpjekje për të promovuar qasjen profesionale”.
Në fund të fjalës së tij, ministri Lancaster tha se “unë jam thellë krenar që dy institucionet tona dhe dy shtetet tona kanë marrëveshje zyrtare të bashkëpunimit dhe ne do të vazhdojmë t’ ju mbështesim, pra kjo është një mbështetje e përkushtuar që do të vazhdojë edhe në të ardhmen”.
Më pas, ministri Lancaster dhe delegacioni i tij, të shoqëruar edhe nga komandanti i FSK-së, gjeneral Rama vazhduan vizitën në Komandën e Forcës Tokësore ku u zhvillua një ndejë rasti me oficerë dhe nënoficerë të FSK-së të cilët kanë përfunduar shkollime, trajnime dhe kanë marrë pjesë në gara e ushtrime të ndryshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Në fund delegacioni pati rastin të shoh nga afër pajisje dhe demonstrime të njësive të specializuara të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të cilat kishin përgatitur stacione ku kishin ekspozuar pajisjet e tyre si dhe ekzekutuan disa demonstrime që prezantuan kapacitetet e tyre operacionale si: deminim, materie të rrezikshme, kërkim –shpëtim etj.â